​Spanja nuk do të hapë zyrë ndërlidhëse në Kosovë

Aktuale

​Spanja nuk do të hapë zyrë ndërlidhëse në Kosovë

Më: 31 maj 2021 Në ora: 22:32
Foto ilustrim

Ministria e Jashtme e Spanjës ka thënë se ky shtet nuk ka në plan të hapë zyrë ndërlidhëse në Prishtinë.

“Nuk ka asnjë plan për të hapur një zyrë ndërlidhëse në Prishtinë”, thuhet në përgjigje për median, pas raportimeve të sotme në media, se një gjë e tillë tashmë është iniciuar.

Veç kësaj, thuhet se pozicioni i Spanjës për mosnjohjen e shtetit të Kosovës, nuk ka ndryshuar.

“Pozicioni i Spanjës për mosnjohjen e deklaratës së Pavarësisë, i miratuar nga Prishtina në 2008, nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë nëse çështja nuk zgjidhet përmes dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës”.

Megjithatë, Spanja e mirëpret si hap pozitiv rinisjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

”Në këtë kuptim, ne e konsiderojmë rinisjen e dialogut si një lajm të mirë. Është e nevojshme të shfrytëzohet momenti për t’u përpjekur të arrihet një marrëveshje e pranueshme për të dy palët dhe e respektueshme për të Drejtën Ndërkombëtare. Për të arritur këtë qëllim ne kemi një ARVP, (Josep) Borrell, i cili ka interes të madh për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit dhe me punën e shkëlqyeshme të Miroslav Lajçak, të cilën ne e mbështesim plotësisht”.

MPJ e Spanjës thotë se janë të gatshëm për bashkëpunim, meqë përparësi për të, është stabiliteti politik dhe prosperiteti ekonomik i Ballkanit.

”Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, sa më shumë që të mundemi, në këto përpjekje, pasi përparësia për Spanjën është stabiliteti politik dhe prosperiteti ekonomik i Ballkanit”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat