Serbia duhet ta njohë Kosovën, SHBA-ja e mbështetë fuqishëm dialogun – Palmer tregon a do të jenë palë në bisedime

Aktuale

Serbia duhet ta njohë Kosovën, SHBA-ja e mbështetë fuqishëm dialogun – Palmer tregon a do të jenë palë në bisedime

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 08:22

(E plotësuar 11:31) - Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer tha të martën në Prishtinë se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë qëllimi kryesor i dialogut mes dy shteteve.

Gjatë një konference të përbashkët për media së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Palmer tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

"Sa i përket qëllimit përfunditar, ne vazhdojmë të besojmë se është njohja e ndërsjellë ajo që do ta lë pas këtë çështje dhe do të hapë rrugën drejt Evropës", tha Palmer.

Duke folur për kompromiset e mundshme që do të çonin drejt arritjes së një marrëveshjeje, Palmer tha se për këto kompromise u takon palëve që të diskutojnë dhe të vendosin.

"Nuk është në dorën e SHBA-së që të identifikojë se cilat do të duhej të ishin kompromiset e nevojshme, parametrat e negociatave. Kjo nuk është as punë e mikut tim Lajçak. Kjo u takon palëve. Dialogu nuk udhëhiqet nga SHBA-ja e BE-ja, por udhëhiqet nga palët. Dialogu lehtësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja. Prandaj, u takon palëve të formësojnë dhe të pajtohen për parametrat e dialogut dhe të ndihmojnë që procesi të ecë përpara. Ne jemi këtu për të mbështetur, inkurajuar dhe avokuar teksa procesi ecën përpara", tha Palmer.

Ndërkaq, sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Palmer tha se ky asociacion duhet të formohet ashtu siç palët janë marrë vesh.

Lajçak, në konferencën e përbashkët për media me Palmerin, tha se takimet e zhvilluara në Prishtinë ishin të dobishme dhe tha se qëllimi i kësaj vizite dyditore ishte që të sigurohet që takimi Kurti-Vuçiq të jetë i suksesshëm.

Palmer dhe Lajçak më 31 maj zhvilluan takime me liderët institucionalë dhe politikë në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se pret që bisedimet të përfundojnë me njohje të ndërsjellë, por duke respektuar integritetin territorial të Kosovës, rregullimin e brendshëm kushtetues dhe shtetëror si dhe funksionalitetin e vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se bashkëpunimi mes SHBA-së dhe BE-së për dialogun është “i mirëseardhur, sepse është i domosdoshëm”.

Ndërkaq, partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kërkuan nga Palmeri një rol më të madh të Shteteve të Bashkuara në dialogun me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është thënë se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

SHBA-ja, gjatë administratës së Donald Trumpit kishte emëruar Richard Grenellin të dërguar të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. Në kuadër të përpjekjeve amerikane për normalizimin e marrëdhënieve, më 4 shtator, 2020, në Shtëpinë e Bardhë u arrit një marrëveshje për normalizimin ekonomik mes dy shteteve. Kjo marrëveshje, veç tjerash, parasheh disa projekte infrastrukturore, siç janë linja ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit, autostrada mes dy shteteve dhe lidhjet hekurudhore.

Palmer: Besojmë se në fund duhet të ketë njohje reciproke

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer ka thënë se Amerika vazhdon të besojë se njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë.

“Ne vazhdojmë të besojmë se është njohja reciproke e cila në do t’ia lë këtë çështje të kaluarës dhe do të hapë rrugën përpara”.

“Lloji i trysnisë mbi palët janë ambiciet dhe dëshirat e tyre që të ecin në rrugëtimin drejt BE-së, kjo kërkon adresimin dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve apo problemeve”, tha zyrtari i lartë amerikan në një konferencë të përbashkët në Prishtinë me emisarin e BE-së  për dialogun, Miroslav Lajçak.

Palmer: Vendet duhet t’i lënë anash ngjarjet e së kaluarës, BE të hap rrugë anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mattheë Palmer, një një konferencë të mbajtur për media ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin fuqishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Palmer tha se palët duhet ti lënë anash ngjarjet e së kaluarës dhe Bashkimi Evropian duhet t’i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë.

“SHBA-ja fuqishem e mbështet dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës. Qëllimi është normalizimi i raporteve. Vendet duhet ti lëjnë anash ngjarjet e së kaluarës dhe BE t’i hap rrugën anëtarësimit si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë në Bashkimin Evropian”.

Ai theksoi se SHBA ndonëse nuk është palë në dialog, është e përfshirë në mënyrë aktive në normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi.

“SHBA nuk është palë në procesin e dialogut, por ne jemi partnerë. Jemi të përfshirë në mënyrë aktive edhe me Beogradin dhe Prishitnën. Jemi duke punuar me Miro Lajçakun dhe ekipin e tij në mbështetje të normalizimit të raporteve”.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës shtoi se qëllimi kryesor i SHBA-ve është që të avancohet integrimi evropian dhe euro-atlantik i Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo është një pjesë më e gjerë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që të mbështesim dhe avancojmë integrimin evropian dhe euro-atlantik të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor që ka qenë një qëllim afatgjatë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Lajçak paralajmëron takim ndërmjet Kurtit e Vuçiqit, mohon kërkesën për ndryshime kushtetuese

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar shumë shpejt takim ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Madje ai tha se arsyeja kryesore e vizitës në Kosovë është përgatitja e takimit.

 “Qëllimi parësor është përanditja e takimit të mes dy vendeve në Bruksel. Kemi pasur 4 takime në Kosovë që do të ndihmojnë për të shkojmë të përgatitur në Beograd”.

“Ky vit ka potencial të jetë vit i mirë për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë. Shpresojmë që dialogu të jetë shembu i mirë dhe të ketë progres në përmirësimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”.

Lajçak ka mohuar të ketë thënë në Beograd se Kushtetuta e Kosovës duhet të ndryshohet sa i përket bërjes së Asociacionit të Komunave Serbe.

***

Zëvendësndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer, tha se shteti i tij e mbështet fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi.

Ndonëse tha se nuk janë palë në dialog, por vetëm partner që synim kanë avancimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.

“ShBA- ja e mbështetë fuqishëm dialogun. Ne nuk jemi palë më dialog po partnerë duke punuar edhe me Beogradin edhe me Prishtinën. Bashkë do të mbështesim dhe avancojmë qëllimin e avancimit të tyre”.

“Pres të punoj me Miron dhe ekipin e tij për të çuar para procesin dhe për të arritur procesin për progresin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Lajçak: Qëllimi kryesor i vizitës në Kosovë është përgatitja e takimit Kurti-Vuçiq

Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka theksuar që arsyeja kryesore e vizitës në Kosovë është përgatitja e takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq për dialogun Kosovë-Serbi.

“Qëllimi parësor i kësaj vizite është të përgatitet takimi i parë i nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe Vuçiqit i cili do të mbahet pas pak ditësh në Bruksel, prandaj unë jam këtu”, tha Lajçak në një konferencë për media.

LIVE: Palmer dhe Lajçak në konferencë për media

Ka nisur konferenca e përbashkët e përfaqësuesit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer  dhe përfaqësuesit special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Palmer dhe Lajçak pas takimeve me Osmanin dhe Kurtin sot mbajnë konferencë për media

Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer  dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak sot do të mbajnë një konferencë për media.

Konferenca mbahet në orën 10:40 në Zyrat e BE-së.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë i ka quajtur konstruktive takimet e zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit Matthew Palmer me drejtuesit e shtetit të Kosovës dhe emisarin special evropian për dialogun Miroslav Lajçak.

“Dita 1: Zëvendësndihmës Sekretari Matthew Palmer zhvilloi takime konstruktive me Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajcak, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendës kryeministrin Besnik Bislimi dhe ministren e Punëve të Jashtme Donika Gervalla-Schwarz”, shkruan Ambasada amerikane në Facebook.

Lajçak dhe Palmer ndodhen për vizitë disaditore në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se procesi i dialogut në Bruksel duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo gjatë takimit me zëvendës-ndihmës sekretarin e Shtetit amerikan, Matthew Palmer dhe emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka ripërsëritur qëndrimin se për Kosovën mbetet thelbësore që në këtë proces të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi sot se bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e ri të dialogut është i mirëseardhur dhe i domosdoshëm.

Ai gjatë një takimi me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer, ka thënë se dialogu duhet të jetë i drejtë, parimor dhe në shërbim të popujve dhe paqes e sigurisë së gjithmbarshme.

Kurti e vlerësoi të rëndësishëm takimin dhe kohën kur po ndodh ai – në prag të takimit në Bruksel, i paralajmëruar në mesin e qershorit, pas takimeve me liderët e opozitës dhe para diskutimit në Kuvend për procesin e kaluar të dialogut, marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe nivelin e zbatimit të tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat