Ditën e djeshme ishte dita botërore kundër duhanit.
E analisti Blerim Latifi, njëherësh edhe ish-ushtar në betejën e Koshares, ka treguar një histori të pazakontë.
Latifi, përmes një shkrimi në Facebook, tregon historinë e tij gjatë konsumimit të një cigareje e cila mund ti kushtonte edhe me kafshim nga gjarpri.
Mes tjerash ai tregon edhe talljen që e bëri njëri nga ish-bashkëluftarët pas ndodhisë së tij.
Rrëfimi i plotë i tij:
Sot paska qenë dita e luftës kundër duhanit, i cili, padyshim, përbën njërën nga shprehitë më të dëshme që mund të ketë njeriu në jetën e tij. Duket si një shprehi që kur rrënjoset, vështirë është të hiqet qafesh. Dhe kjo më së miri shihet në faktin se një pjesë shumë e madhe e njerëzve, edhe pse i njohin efektet katastrofale të duhanit, përsëri vazhdojnë ta kontaminojnë veten dhe të tjerët me të. Fatkeqësisht edhe unë bëj pjesë në bashkësinë e tyre. Këtë shprehi të keqe e kam trashëgimi nga lufta.
Para saj, si fëmi, e më pas edhe si adoleshent, kam ndezur herë pas here ndonjë cigare, por shprehia m'u bë normë ditore gjatë ditëve të Koshares.
Djemtë e logjistikës që na sillnin ushqimin në vijën e frontit, bashkë me konservat ushqimore, na sillnin edhe pako me cigare, madje në sasi të bollshme. Kanë qenë dy llojesh : Karelia dhe Cooper. E para prodhim grek, e dyta prodhim britanik, më duket.
Një natë, në pakujdesi e sipër, e pata shpuar me cigare thesin ushtarak në të cilin flija për t'u mbrojtur nga të ftohtit e natës dhe nga kafshimi i ndonjë gjarpëri që mund t'i binte rruga aty pari.
Të nesërmen shoku im i afërt Xhelal Abazi, nga Hasanbegu i Shkupit, kur e pa vrimën, nisi të bënte humor të zi me mua: Prekaz, më tha, kjo vrimë osht shej e keqe, paralajmërim se do të shpohet prapë! Sigurisht humori i tij i zi kishte parasysh shpimin nga plumbat. Fatmirësisht parashikimi i Xhelalit doli krejtësisht i gabuar.