​Kuvendi i Kosovës hap dyert për fëmijë

Aktuale

​Kuvendi i Kosovës hap dyert për fëmijë

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 17:59
Kuvendi i Kosovës

Me rastin e 1 Qershorit, Kuvendi i Kosovës ka hapur dyert për fëmijët, të cilët patën mundësinë të vizitojnë hapësirat e legjislativit dhe të njihen për së afërmi me punën e tij.

Njëri nga fëmijët që këtë të martë vizitoi Kuvendin e Kosovës, ishte Nart Vllasaliu i cili uroi bashkëmoshatarët për ditën e tyre.

Vllasaliu: Të gjithë fëmijëve në botë urime 1 Qershori

"Nga Kuvendi i Kosovës të gjithë fëmijëve në botë urime 1 Qershori", tha ai.

Zyrtari për Informim në Kuvendin e Kosovës, Musli Krasniqi, tha se ky aktivitet tashmë është bërë tradicional, duke hapur dyert për fëmijët që dëshirojnë të vizitojnë hapësirat e këtushme.

Ai tha se në vitet e kaluara me rastin e 1 Qershorit, Kuvendi kishte organizuar aktivitete të shumta, por tashmë për shkak të pandemisë janë detyruar të kufizojnë aktivitetet e tyre.

Musli Krasniqi: Hapja e dyerve të Kuvendit, aktivitet tradicional

"Dita e fëmijëve 1 Qershori është aktivitet tradicional që kremtohet nga ana e Kuvendit të Kosovës. Pra ka vite që një ditë e tillë shënohet nga ana jonë me aktivitete të ndryshme. Aktiviteti kryesor është hapja e dyerve për të gjithë fëmijët që dëshirojnë të vizitojnë Kuvendin e Kosovës në këtë ditë. Në vitet e tjera kjo Ditë është shënuar me aktivitete të shumta, ndërkaq sivjet jemi detyruar t’i përshtatemi rrethanave me pandeminë. Megjithatë e kemi parë të rrugës edhe pse simbolikisht kjo ditë të mos kalojë pa u shënuar nga ana e Kuvendit", tha ai.

Kujtojmë se me rastin e 1 Qershorit – Ditës ndërkombëtare të Fëmijëve, në Kosovë janë organizuar një sërë aktivitetesh. Në këtë ditë sensibilizimi, u dha mesazhi për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat