Hyseni: Vetëvendosje, mbase subjekti i vetëm politik që dëshiron raporte të mira me komunitetin serb në Kosovë

Aktuale

Hyseni: Vetëvendosje, mbase subjekti i vetëm politik që dëshiron raporte të mira me komunitetin serb në Kosovë

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 00:00
Deputeti i Vetëvendosjes, Alban Hyseni

Deputeti i Vetëvendosjes, Alban Hyseni, ka komentuar qasjen e Kryetarit të Listës Serbe Goran Rakiq, në raport me Kryeministrin Albin Kurti, lidhur me deklaratat rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Hyseni ka deklaruar se Listën Serbe nuk e kanë partner qeverisës, por është pjesë e qeverisjes së tyre për shkak të obligimit kushtetues, megjithatë thekson se Vetëvendosje mbase është subjekti i vetëm që pretendon raporte të mira me komunitetin serb në Kosovë.

”Vetëvendosje me kryeministrin [Albin] Kurti, mbase është subjekti i vetëm politik që pretendon dhe dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me serbët dhe komunitetin serb në Kosovë, mirëpo është njëri prej subjekteve të vetme dhe një prej liderëve të vetëm që nuk ka raporte të mira me Listën Serbe si subjekt”.

”Lista Serbe nuk është pjesë e qeverisë. Ajo është pjesë e qeverisë, në kuptimin e bartjes së një pozicioni brenda ministrive për shkak të obligimit kushtetues që kemi e që do duhej ta kemi”.

”Nuk është partner i qeverisjes tonë në kuptimin e asaj që ne kemi bërë marrëveshje me të. Gjujajta me fjalë, kuptohet edhe prej përmbajtjes së diskutimit. Sepse Goran Rakiq dëshiron të implementohet një Asociacion njëetnik, që privilegjon vetëm një komunitet përbrenda vendit dhe shtetit tonë”.

”Ne siç kemi thënë edhe më herët, jemi kundër Asociacionit të tillë, që është kundërkushtetues dhe që diskriminon të gjitha komunitetet tjera përveç atij serb”.

Ndërkaq nëse potencialisht për shkak të gjuhës së tij si ministër, ndaj kryeministrit, mund të shkarkohej, Hyseni mohon se mund të prodhonte rezultat.

Kjo sipas tij meqë Lista Serbe përfaqëson politikën e Beogradit por jo dhe të komunitetit serb.

”Pavarësisht reagimit rezultati do të ishte prapë i njëjtë”.

”Mund të ndërrohej ministri, por nuk mund të ndërrohej edhe qasja. Sepse Lista Serbe në parim e dimë që nuk e përfaqëson komunitetin serb në kuptimin e plotë të fjalës, më tepër përfaqëson politikën e shtetit serb dhe të Beogradit”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat