A e duan “LDK-istat e vërtetë” Ramën kandidat për kryetar të Prishtinës?

Aktuale

A e duan “LDK-istat e vërtetë” Ramën kandidat për kryetar të Prishtinës?

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 16:08
Përparim Rama

Deklarata e kandidatit për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, se është apartiak ka ngjallur reagime të shumta tek ata që kanë kontribuuar shumë për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ani pse do të kandidoj për LDK’në në garën për kryeqytet, Rama në një emision deklaroi se është apolitik.

Ndaj kësaj kanë reaguar edhe vet anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, ka thënë se Rama e ka quajtur vetën si apolitik pasi nuk ka pasur afiliacion politik deri tani.

“Përparim Rama nuk ka pasur afiliacion politik deri tani – prandaj diskursi i tij për veten si ‘apolitik’ – por është kandidat i LDK-së, garon në emër të LDK-së, të partisë tradicionale të Kosovës, bashkë me listën e kandidatëve të partisë sonë për Asamblenë e Prishtinës, për të mirën e gjithë qytetarëve të komunës”, ka deklaruar ai.

Hamiti thotë se Rama do t’i mundësojë kryeqytetit ndryshimin e mirë dhe të nevojshëm.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e ka kandidatin për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e vjeshtës, Përparim Ramën, me të cilin do të fitojnë LDK-ja, të gjithë qytetarët e Prishtinës, por edhe Kosova.Kryefjalë e diskursit publik e kohëve të fundit është ‘ndryshimi’. Z. Rama ka rastin ta bëjë ndryshimin për të mirë mbas qeverisjes tetëvjeçare të VV-së në Prishtinë. Një qeverisje e dështuar në të gjitha planet, siç e dijnë banorët e kësaj komune, në qytet e në fshat”, ka thënë Hamiti.

Përparim Rama mori mbështetje të kryetarit të LDK, Lumir Abdixhiku, për tu kandiduar për kryetarë të kryeqytetit.

Madje Abdixhiku deklaroi se e gjithë LDK-ja është prapa Përparim Ramës.

“Përparim Ramën nuk e kemi sjell me u marr me dialog. Ai nuk merret me politikë, merret me kryeqytet. Nuk keni për ta dëgjuar duke folur për dialog, liberalizim, por si me rregullu Prishtinën. Prishtinës i duhet një menaxher, andaj kjo është zgjedhja më e mire. Deri ma tani kandidaturat për Prishtinën i kemi parë si promovim, asnjëherë për qytetarët. E gjithë LDK-ja është prapa Përparimit, do t’u shërbejë qytetarëve të Prishtinës”, deklaroi Abdixhiku.

Ndërsa Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka një mendim ndryshe.

Tërmkolli ka thënë se kandidati për Prishtinën nuk dallon as nga ish-kryetari e as nga kryetari i tanishëm LDK-së.

“Spastrimi etnik” i LDK-së është bërë kaherë qëllim politik, metodë pune dhe mjet për grabitje e karrierë. Si dje, si sot. Kriter për një pozitë, që nga pozita e Kryetarit të LDK-së e tutje është: të mos jesh i LDK-së, të jesh anti-LDK e anti-Rugovë! Kandidati për Prishtinë nuk dallon me asgjë nga kryetari i LDK-së, i sotmi e i djeshmi dhe nga ata që i kanë bërë këta. Vazhdoni, vazhdoni….edhe pak!”, ka shkruar ajo.

Këtë çështje e ka komentuar edhe ish-ministri dhe anëtari i LDK-së,  Lutfi Zharku.

Zharku postoi një fotografi në Facebook, duke i kundërpërgjigjur atij, duke thënë se “është partiak dhe është LDK”.

“Unë jam partiak. Unë jam LDK”, shkroi Zharku, duke ia bashkangjitur një fotografi të tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat