​LDK e dëshiron këtë datë për zgjedhje lokale, Abdixhiku ka një kërkesë për Kurtin

Aktuale

​LDK e dëshiron këtë datë për zgjedhje lokale, Abdixhiku ka një kërkesë për Kurtin

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 17:32
Lumir Abdixhiku

(E plotësuar 17:32) - Lidhja Demokratike e Kosovës e do 31 tetorin si datë për zgjedhjet lokale.

Këtë e bëri të ditur kryetari Lumir Abdixhiku pas takimit konsultativ me presidenten Vjosa Osmani.

Abdixhiku e arsyetoi këtë kërkesë me përgatitjen sa më të mirë, për shkak të menaxhimit me pandeminë Covid-19, si procesin e vaksinimit dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Megjithatë shtoi se çdo datë është e pranueshme për LDK-në, pasi sipas tij janë të përgatitur mirë.

Abdixhiku: I kërkuam presidentes që 31 tetorin ta shpall ditë të zgjedhjeve lokale

“Ne jemi gati si LDK në çdo datë të mundshme për t’u futur në garë zgjedhore, por është rekomandim i yni që 31 tetori për shkak të organizimit më të mirë rreth zgjedhjeve, për shkak se Kosova është në pandemi dhe duhet të kalojë një kohë edhe për trajtimin dhe vaksinimin e rimëkëmbjen ekonomike. Por edhe çdo datë tjetër është e pranueshme për LDK-në. Ne i propozuam dhe i kërkuam presidentes që 31 tetorin ta shpall ditë të zgjedhjeve lokale”, tha ai.

I pyetur për rezultatin e mundshëm të LDK-së në zgjedhjet lokale, Abdixhiku tha se po punojnë shumë për një rimëkëmbje të LDK-së.

Tha se i kanë hapur dyert për rininë dhe të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e LDK-së.

Abdixhiku: Rezultati i zgjedhjeve të tetorit do t’i japë diferencën dhe rikthimin e LDK-së

“Në zgjedhjet nacionale është e vërtetë që s’kemi dal mirë. Prej datës së zgjedhjeve nacionale deri më sot e në katër muajt e ardhshëm do të bëjmë reforma substanciale për të kthyer besimin e qytetarëve në LDK. Jam jashtëzakonisht optimist që rezultati i zgjedhjeve të tetorit do të jetë rezultat që i jep diferencën dhe rikthimin e LDK-së. Por puna vazhdon edhe më tutje pas zgjedhjeve lokale. Po i bëjmë vlerësimet në degë, po i bëjmë kandidaturat publike shumë më herët sesa zakonisht. Po i hapim dyert për të rinjtë dhe të vullnetit të mirë që duan të angazhohen në LDK, po u japim mundësi grave, të rinjve e të rejave. Do të dalim me program të mirë. I kemi komunat aktuale që janë duke e bërë punën shkëlqyeshëm, prandaj jam i bindur se qytetarët i kanë zgjedhjet lokale të parapërcaktuara”, tha ai.

Abdixhiku pati edhe një kërkesë për kryeministrin Albin Kurti.

Abdixhiku: Pres nga kryeministri ta bëjë të qartë në formë të shkruar pozicionin e tij rreth dialogut

“Unë pres nga kryeministri ta bëjë të qartë në formë të shkruar pozicioni e tij rreth dialogut. Tani është kryeministër i Qeverisë, ka shumicën parlamentare, ka çdo mundësi që ta shtrojë agjendën e vet në dialog dhe kështu duhet të bëjë. Ne si opozitë do t’i kërkojmë raportim siç e do rendi demokratik në parlament dhe pres që një gjë të tillë ta bëjë”, tha ai.

Osmani gjatë ditës ka takuar edhe liderët tjerë partiakë për t’u konsultuar rreth datës së zgjedhjeve lokale.

***

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është deklaruar pas takimit me Presidenten Vjosa Osmani, ku kanë diskutuar rreth datës së zgjedhjeve lokale.

Abdixhiku para mediave tha se partia e tij ka propozuar që data e zgjedhjeve komunale të jetë 31 tetori.

“Ne jemi gati si LDK për çdo datë të mundshme, për t’u futur në garën zgjedhore. Por rekomandimi ynë është 31 tetori si datë adekuate, por çdo datë tjetër do të ishte e pranueshme. Ne i propozuam dhe kërkuam Presidentes që 31 tetorin ta shpall datë të zgjedhjeve”, ka deklaruar Abdixhiku.

I pyetur se çfarë rezultati pret nga zgjedhjet lokale, bazuar në atë të zgjedhjeve të përgjithshme, Abdixhiku tha se në LDK janë duke u bërë reforma dhe ndryshime që të kthehet besimi i qytetarëve në këtë parti.

“Në zgjedhje nacionale është e vërtetë që s’kemi dalë mirë, prej datës së tyre deri më sot e në katër muajt e ardhshëm do të bëjmë reforma dhe ndryshime substanciale që ta kthejmë besimin e qytetarëve në LDK. Jam jashtëzakonisht optimist që rezultati i zgjedhjeve të tetorit do të jetë rezultat që e jep diferencën dhe rikthimin e LDK-së, atë që po e presim”, ka deklaruar Abdixhiku.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat