Në kohë pandemie katër mjekë e bojkotojnë punën në Kardiokirurgji të QKUK-së

Aktuale

Në kohë pandemie katër mjekë e bojkotojnë punën në Kardiokirurgji të QKUK-së

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 17:39
Ilustrim

Katër mjekë të Klinikës së Kardiokirurgjisë në QKUK, e kanë bojkotuar punën që nga java e kaluar.

Dr. Adem Grbollar, Dr. Bekim Dula, Dr. Shpejtim Shurdhiqi dhe Dr. Ramë Alaj, nuk po pranojnë të punojnë me raste jo-emergjente për shkak të ankesave që kanë ndaj drejtorit të Klinikës Dr. Rifat Brahimaj.

Ministria e Shëndetësisë ka pranuar një letër në fund të së cilës janë emrat e katër mjekëve, të cilët e kanë njoftuar MSH-në se nuk do të punojnë raste elektive.

Gazeta ka mësuar se mjekët janë ankuar se drejtori i Klinikës Rifat Brahimaj po iu bën presion me fyerje dhe ofendime dhe për këtë arsye nuk do të marrin pjesë në mbledhjet dhe vizitën e mëngjesit tek pacientët.

Ndonëse pacientët që kanë nevojë për ndërhyrje në zemër kanë mbetur në pritje në kohë pandemie, mjekët në letrën e tyre për ironi kanë deklaruar se po e bojkotojnë punën “për të mos rrezikuar jetën e pacientëve” shkruan Shneta.

Gazeta ka dërguar pyetje në adresën elektronike të Grbollarit por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje. Edhe Ramë Alaj nuk ka pranuar të flas për këtë çështje.

Brahimaj në anën tjetër e ka mohuar se ka ushtruar presion ndaj mjekëve që janë ankuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Ai e ka konfirmuar se nga java e kaluar këta mjekë nuk kanë pranuar të punojnë.

“Ankesat e tyre nuk qëndrojnë. Arsyet e ankesës janë personale dhe profitabile. Po kërkojnë të heqin një drejtor dhe të marrin vet pozitën. Kjo nuk është hera e parë që bëjnë kësi probleme. Njëri prej tyre ka qenë më herët në pozitë dhe e dimë se në çfarë gjendje e ka sjellë klinikën”, ka thënë Brahimaj.

Ai ka deklaruar se i ka raportuar mjekët në procedurat disiplinore dhe po pret të merren masa.

Brahimaj ka thënë se megjithatë puna në klinikë ka vazhduar, përkundër ngarkesës së kardiokirurgëve tjerë që janë duke punuar.

“Të gjitha rastet po kryhen, megjithëse është krijuar ngarkesë për kardiokirurgët tjerë”, ka deklaruar ai. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat