Palmer: Ndjejmë urgjencë për dialogun Kosovë-Serbi, marrëveshja të arrihet sa më shpejt

Aktuale

Palmer: Ndjejmë urgjencë për dialogun Kosovë-Serbi, marrëveshja të arrihet sa më shpejt

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 20:23
Palmer

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian “ndjejnë një lloj urgjence” sa i përket dialogut Kosovë-Serbi dhe finalizimit të marrëveshjes, ka thënë zëvendësndihmësi sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer.

Palmer në një intervistë për Radiotelevizionin Publik ka thënë se synohet një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke.

“Synimi ynë është që të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse që synon njohjen reciproke mes dy vendeve. Ju takon dy palëve që të caktojnë temat të cilat duhet të flasin në këtë takim. Gjatë këtij muaji pritet takimi mes Kurtit e Vuçiqit, shpresojmë që të dy anët të punojnë me përfaqësuesin e BE-së, se si duhet t’i qasen çështjeve që duan t’i arrijnë”, ka thënë ai.

Palmer ka theksuar nevojën e arritjes së marrëveshjes në një periudhë sa më të afërt.

“Ne dhe Bashkimi Evropian ndjejmë një lloj urgjence për këtë proces dhe do të dëshironim që palët të ecin përpara shpejt. Palët të pranojnë që koha është e çmuar, të arrihet një marrëveshje sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë ai.

Vlen të theksohet se Palmer dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak nga e hëna kanë qëndruar për vizitë në Kosovë, ku janë takuar me krerët e shtetit dhe krerët e partive opozitare.

Nga Kosova, Palmer e Lajçak pritet që të udhëtojnë për në Serbi, ku të enjten do të takohen me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat