Kryeministri Albin Kurti është gati për Bruksel.
Data nuk dihet por në këtë muaj shefi i qeverisë në kryeqytetin e Evropës do e takojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Para shkuarjes në procesin e dialogimit që lehtësohet nga Bashkimi Evropian, Kurti paralajmëron veprime politike që do t'i bëjë në Prishtinë.
“Përveç kësaj ne do takohemi një takim në Kuvendit e Republikës lidhur me gjendjen e deritanishme të procesit të dialogut të kaluar, sepse duhet të shohim ku ndodhemi sa I përket marrëveshjeve të dikurshme, zbatimit të tyre dhe ndikimit të tyre. Takimi që do të zhvillohet në Bruksel nuk është takim i vazhdimit të dialogut” tha Kurti para gazetarëve të mërkurën.
Ai e ripërsërit se takimi me Vuçiqin nuk është vazhdim i procesit të mëparshëm por një nisje e re, potencon fort faktin se është ulja e tyre e parë sy më sy.
“Është takim i parë në të cilin për herë të parë pritet që përball ta kem Presidentin e Serbisë me të cilin nuk jam asnjëherë në jetë nëse përjashtojmë tryezën me mbi 30 veta në shkurtin e vitit 2020 në Konferencën e Sigurisë në Munih të Gjermanisë. Aty do të shohim se çfarë mund të jetë kapitulli i ardhshëm i dialogut. Është takim për dialogun e ardhshëm, por nuk është vazhdim i dialogut të më hershëm”
Nga ana e tij, kryetari i Serbisë po paralajmëron dramë në rast se në takimin e parë të Brukselit mes tij e Kurtit nuk për Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës të martën e tha edhe një herë se kjo bashkësi nuk mund të jetë institucion një etnik.
“Unë në Shtëpinë e Bardhë s'e kam nënshkruar pavarësinë e Kosovës e lere më ta bëjë diku tjetër. Nëse Kurti mendon se nuk do flasim për Bashkësinë e Komunave serbe por ne do e pranojmë Republikën e Kosovës, atëherë ai mos të vjen fare në takim dhe mua nuk kanë çka më dërgojnë ftesë. Për tjera gjëra sikur që janë personat e pagjetur mund të flasim pa problem”, deklaroi Aleksandar Vuçiq.
Presidenti nga Beogradi vazhdoi me fjalor të ashpër karshi Kurtit, të cilit nuk ia njeh as postin që e mban
“Për atë që Kurti të na shantazhojë e të na tregojë sesi ne duhet të flasim me të e në çfarë mënyre ne duhet atë ta trajtojmë unë I them atij se do ta trajtojë sikur secilin përfaqësues të institucioneve të përkohshme. Nëse kjo nuk i pëlqen, ai mund të tentojë të bëjë diçka por nuk do ta këshilloja të bëjë diçka dhe kjo në secilin kuptim”, tha ai.
Përkundër krejt kësaj, presidenti serb tha se ditë të vështira po vijnë për ta pasi që sipas tij dy superfuqitë e botës Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania po ua kërkojnë njohjen direkte të shtetit të Kosovës.