Opinionisti, Rrahman Paçarizi, e ka vlerësuar përzgjedhjen e LDK-së për kandidatin në garën e Prishtinës, Përparim Ramën.
Ai u shpreh se i ka bërë përshtypje kreativiteti dhe serioziteti i të parit të LDK-së, Lumir Abdixhikut se si i është qasur drejtimit të partisë dhe se sipas tij, me këtë e ka dëshmuar se është i vendosur ta çojë përpara reformën në LDK.
“Kjo do të thotë që Abdixhiku është një kryetar përnime i LDK-së dhe kjo ka shumë rëndësi”.
“Për LDK-në është me rëndësi jetike që t’i ruajë komunat që i kanë. Veç me Prishtinën ku do fokusohej Abdixhiku po të ishte kandidat, LDK nuk do ta bënte rikthimin dhe rrjedhimisht do t’i humbte edhe qytetet tjera se nuk do të mund të merrej me të gjithë”.
“Mendoj që në këto zgjedhje LVV do të jetë rivali kryesor i LDK-së, ose edhe anasjelltas. LDK ka bërë një potez shumë të mençur, se profili i Ramës ka qenë zgjidhje dhe zgjedhje e mençur dhe ka kohë që atë kandidat t’ua prezantojë qytetarëve të Kosovës”.
“Rama ka kohën e mjaftueshme që të prezantoje idetë e tij dhe t’i zbërthejë më pas”.
“Pjesa e dobët e paraqitjes duket sikur Përparim Rama ka qenë i papërgatitur që të del në intervistë të tillë si ajo mbrëmë në Rubikon. Ndoshta është dashur pak më ngadalë t’i qasej publikut se nuk arriti të shpjegojë se çka deshi të thotë me atë se ‘është apolitik’, por i është dashur më pas Abdixhikut ta shpjegojë. Megjithatë, mendoj që ka kohë dhe kjo s’guxon ta penalizojë”.
Paçarizi tha se beson që në balotazh do të shkojnë LDK e LVV dhe e bëri një vlerësim të tij për kandidatët e partive garuese.
“Nuk besoj që diferenca do të jetë e madhe si në zgjedhjet e kaluara kur PDK ka qenë goxha joserioze në përzgjedhjen e kandidatëve me disa njerëz që as nuk ia kanë pasur idenë se çka është qeverisja”.
“Pastaj edhe AAK ka pasur kandidatë të gjykuar për të dështuar para kandidatëve më të fuqishëm të partive tjera, siç ishte atë kohë Shpend Ahmeti”.
“Ndërkaq, tash mendoj që Uran Ismaili është pak më ndryshe se kandidatët e tjerë të PDK-së. Ai mendoj se do ta rrisë votën e PDK-së”.
“Kandidati i AAK-së do ta rrisë po ashtu votën për aq sa ka fuqi AAK-ja në Prishtinë, por nuk guxon të pretendojë shumë”.
“Pastaj Selim Pacolli ka po ashtu pak ndikim në Prishtinë”.
“Nuk besoj që votuesi i qytetit të Prishtinës është votues që do ta sheh një kryetar që del me pi kafe me ta, por që ka ide për me e bë Prishtinën metropol. Vetë banorët e Prishtinës kanë qejf t’i thonë vetit që janë banorë metropoli, shiten si të tillë, kanë një jetë nate të organizuar mirë, etj.”, deklaroi Paçarizi.