​Dështon zgjedhja e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, asnjëri nga kandidatët nuk mori votat e mjaftueshme

Aktuale

​Dështon zgjedhja e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, asnjëri nga kandidatët nuk mori votat e mjaftueshme

Më: 3 qershor 2021 Në ora: 07:21

(E plotësuar 21:31) - Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën e radhës të premten, e cila do të jetë vazhdim.

Ajo do të fillojë nga ora 10:00, ku do të ketë dy pika të rendit të ditës.

Rendi i ditës

5. Propozim-vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare,

6. Interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati për çështjen: “Falja e gjobave bizneseve të prekura nga situata me COVID-19”.

***

Në Kuvendin e Kosovës ka dështuar të zgjidhet gjykatës i Gjykatës Kushtetuese.

Në raundin e tretë të votimit, votuan 94 deputetë, ku shtatë fletëvotime ishin të pavlefshme.

Kandidati Vigan Qorolli mori 49 vota kurse Haxhi Xhemajli mori 38 vota.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci tha se asnjëri nga kandidatët nuk ka marrë votat e mjaftueshme prandaj konkursi do të përsëritet.

Me përfundimin e numërimit të votave, përfundoi edhe seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.

Përfundon raundi i dytë i votimit për gjykatës të Kushtetueses, dy kandidatë në finale

Vigan Qorrolli e Haxhi Xhemajli janë dy kandidatët që do të garojnë për kryetar të Gjykatës Kushtetuese.

Nga tre kandidatë sa ishin, Vigan Qorrolli mori 50 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në raundin e parë të votimit për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese. Dy kundërkandidatët e tij, Hilmi Jashari dhe Haxhi Xhemajli morën nga 18 vota.

Ndërsa në raundin e dytë të votimit, Haxhi Xhemajli mori 44 ndërsa Hilmi Jashari 29 vota.

Në raundin e tretë të votimit, deputetët do të zgjedhin në mes të Qorrollit e Xhemajlit.

Kujtojmë se Visar Morina, që qe njëri nga 11 kandidatët që kishte aplikuar për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese, është tërhequr në fund nga procesi, ndonëse kishte marrë vlerësimin si një nga 4 më të mirët.

Përfundon raundi i parë i votimit për gjykatës të Kushteuteses, Qorrolli në finale

Vigan Qorrolli i ka marrë 50 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në raundin e parë të votimit për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese. Dy kundërkandidatët e tij, Hilmi Jashari dhe Haxhi Xhemajli i kanë marrë nga 18 vota.

Hilmi Jashari dhe Haxhi Xhemajli do të garojnë në raundin e dytë të votimit, dhe cilido që merr më shumë vota, do të garojë në fund me Vigan Qorrollin.

Avokati Qorrolli është favorit për ta arritur qëllimin, pasi për këtë çështje do të vendosin deputetët.

Visar Morina, që qe njëri nga 11 kandidatët që kishte aplikuar për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese, është tërhequr sot nga gara, ndonëse kishte marrë vlerësimin si një nga 4 më të mirët.

Kuvendi miraton ndryshimet për gjykimin në mungesë të krimeve të luftës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar sot unanimisht Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale që do t’i hapë rrugë hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës në Kosovë.

Pro këtyre ndryshimeve u shprehën 68 deputetë pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Që nga mbarimi i luftës, më 1999, krimet e luftës janë hetuar nga gjyqtarë dhe prokurorë të huaj, ndërsa nga viti 2015, këtë rol e kanë marrë institucionet e Kosovës.

Prej vitit 2000-2008, UNIMK-u ka qenë autoriteti, i cili ka trajtuar çështjet e krimeve të luftës. Ky mision ka ngritur aktakuza ndaj 3 serbëve, 19 shqiptarëve dhe një malazezi, por për të gjitha këto raste ka dënuar vetëm një person për krime lufte. Pas përfundimit të misionit të UNMIK-ut, përgjegjësitë në këtë fushë janë kaluar te misioni i Bashkimit Evropian EULEX, i cili ka funksionuar prej vitit 2009-2018. Por ky mision ka pasur kompetenca ekzekutive deri në vitin 2014.

EULEX-i gjatë kësaj periudhe ka ngritur aktakuza për krime lufte kundër 11 serbëve, 39 shqiptarëve, një malazezi dhe një personi nga komuniteti RAE. Ndërsa pas kalimit të kompetencave tek autoritetet e Kosovës, në vitin 2014, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur deri në qershor 2020 aktakuza për krime lufte kundër 39 personave.

Ndryshe, gjatë luftës në Kosovë humbën jetën rreth 13.500 persona, ndërsa 1.600 ende konsiderohen të pagjetur.

***

Me 68 vota pro, deputetët votojnë ndryshimet në Ligjin e Kodit të Procedurës Penale

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sapo kanë votuar me 68 vota për, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Kodit të Procedurës Penale.

Ndërkohë, asnjë deputet nuk ka votuar kundër e as nuk ka abstenuar.

Haxhiu kritikon MKRS-në: Kur do fillojnë punimet e Stadiumit Nacional të Kosovës?

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu në Kuvendin e Kosovës ka shtruar çështjen e stadiumit nacional ku ka thënë se ky stadium nuk është kërkesë e politikanëve por e futbolldashësve.

„Kërkesa për ndërtimin e stadiumit nacional nuk ka qenë kërkesë e politikanëve por e futbolldashësve. Ata ëndërrojnë ta kenë stadiumin nacional ta përcjellin Kombëtaren e Kosovës“, tha Haxhiu.

Haxhiu ka folur edhe për shtatoren e legjendës Fadil Vokrri ku ka kërkuar që kjo shtatore të përurohet në përvjetorin e Vokrrit.

„Sajpërket shtatores së Fadil Vokrri, derisa sot po vija në Kuvend pashë që nuk ishte as një punim duke u bërë te bazamenti, kur kanë mbetur edhe gjashtë ditë para se të vijë përvjetori i Fadil Vokrrit dhe ju na premtuat se për përvjetor do jetë gati“, tha ai.

Arsyetimi i Kurtit për emërimin e të afërmeve në institucione që i bëri deputetët të qeshin

Kryeministri Albin Kurti e ka marrë fjalën në Kuvend për t’u përpjekur që ta arsyetojë angazhimin e anëtarëve partiakë dhe të afërmve të zyrtarëve të LVV-së në institucionet shtetërore. 

Gjersa kryeministri ka thënë se të emëruarit janë profesionistë e të përgatitur, deputetët e Kuvendit nisën të qeshnin, ndërsa kreu i Qeverisë vazhdonte të thoshte se me angazhimin e anëtarëve partiakë dhe të afërmve nuk kanë bërë asnjë shkelje.

Kurti tha se ata që u angazhuan në institucione si të afërm, janë të përgatitur e profesional, ndërsa tha se vendimmarrja përmes mbiemrave të farefisit apo punësimi familjar nuk janë vlera të qeverisjes së mirë.

“Kabinetet e ministrive tona kanë persona të përgatitur profesionalisht dhe të gatshëm t’u përgjigjen kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. Vendimmarrjes përmes mbiemrave të farefisit apo punësimit familjar, grupor apo partiak, nuk janë vlera të qeverisjes së mirë dhe këto ne nuk i kemi”, tha Kurti.

“Gëzim Tosuni, anëtar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë; përzgjedhja e tij ka kaluar në faza të vlerësimit”, shtoi kryeministri.

Kurti tha se Gëzim Tosuni është person adekuat për këtë pozitë.

“Ne kemi bërë emërime politike, jo punësime familjare. Me këtë rast, ministrat i zgjedhin këshilltarët politikë që nuk janë shërbyes civilë. Dhe këta këshilltarë politikë janë ose nga shoqëria civile, ose nga komitetet profesionale të Lëvizjes. Ministri Mehaj ka vendosur që ta zgjedh nga komitetet profesionale të Lëvizjes këshilltarin e tij Rabit Konjufca, i cili akademinë ushtarake e ka kryer para se t’i lind nipi Gluak Konjufca”, tha Kurti.

Me këto emërime, Kurti tha se Qeveria nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore.

Ministri Vitia tregon arsyet e mungesës së insulinave

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu e ka pyetur ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për mungesën e insulinave dhe nëse do të kompensohen qytetarët që janë detyruar të blejnë ato.

Haxhiu ka thënë se MSH-ja nuk ka kontratë për furnizim të insulinave.

E ministri Vitia ka treguar arsyet prapa mungesës së insulinave.

“Keni të drejtë dhe në lidhje me çështjen insulinës dua të njoftojë. MSH-ja momentalisht posedon kontratë për insulinë analoge me veprim të gjatë dhe është duke furnizuar institucionet e nivelit parësor shëndetësor. Inicimi i procedurës për kontraktim të insulinave, ka filluar në tetor të vitit 2020, procedura ka filluar diku nga fundi i vitit të kaluar. Fatkeqësisht procedura ende nuk është përfunduar. MSH-ja e ka pasur të pamundur të fillojnë procedurat për kontraktim të të njëjtit produkt në kohë të njëjtë. Në njoftimin e departamentit të prokurimit më 12.05.2021 se ka përfunduar procesi i vlerësimit dhe lënda është proceduar, MSh-ja menjëherë ka kërkuar inicimin e procedurës së kontraktimit të insulinave për katër muaj. Është në proces dhe presim shpejt të kontraktohet sasia për katër muaj që e konsiderojmë të mjaftueshme deri në përfundim të procedurës së lartëcekur. MSH-ja ka siguruar të dhënat gjatë muajit të kaluar për përdoruesit e insulinës dhe janë 15.818”, ka thënë Vitia.

Ai ka treguar se më 1 qershor është pranuar ekspertiza nga OSHP-ja dhe lënda është kthyer në rivlerësim, duke cekur edhe disa prej arsyeve.

E Haxhiu në anën tjetër e ka pyetur sërish ministrin Vitia nëse do të kompensohen qytetarët dhe ka thënë se arsyeja që OSHP-ja ka kthyer në rivlerësim është se MSH-ja ka rekomanduar për blerje të insulinës kompaninë që ka ofertuar çmim 400 mijë euro më të shtrenjtë se ofertuesi i dytë. Dhe se shkaku i dallavereve në MSH qytetarët detyrohen të blejnë insulina.

“Kompensimi sipas ligjit është i pamundur. Për këtë aktivitet të prokurimit dhe shumë aktivitete tjera që pretendoni se ka pasur dallavere, është njoftuar Policia dhe ka iniciuar hetimet e shpresojmë dhe besojmë shumë shpejt do të merren masat adekuate ndaj personave që janë përfshirë në këtë proces”, ka thënë Vitia.

Haradinaj pyet për subvencionet për bujqit, ministri thotë se së shpejti do të realizohen

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka adresuar sot në seancën e Kuvendit të Kosovës çështjen e subvencioneve për fermerët, duke kërkuar shpjegime shtesë nga ministri Faton Peci lidhur me atë nëse bujqit do të marrin edhe pjesën e dytë të këtyre subvencioneve.

Haradinaj ka thënë se fermerët janë të shqetësuar me vonesat, pasi që ka informata se do të ndërhyhet në këto subvencione dhe se do të pakësohen ato.

Haradinaj: A do t’i paguani ratën e dytë të subvencioneve?

“A do t’i paguani ratën e dytë dhe a do të mund të shpejtoni në kohë ndarjen e subvencioneve të tilla çfarë parasheh ligji apo ka edhe informata që ju do të ndërhyni në mënyrën se si ato subvencione do të shpërndahen, do t’i pakësoni ato, do t’i ktheni në rregulla të reja në mënyrë që të humbet krejt ky vit. Këto që ua them unë nuk janë veç fjalë të miat, këto fjalë i kam marrë prej shumë fermerëve, vreshtarëve, njerëzve që janë të ndershëm, punëtorë, e të cilët nuk i thonë këto për shkak të partive as për shkak se dikush është me opozitën apo pozitën, por janë të shqetësuar me gjendjen e tyre”, tha ai.

Deklarimeve të Haradinajt ministri i Bujqësisë Faton Peci iu përgjigj me arsyetimin se pagesat për subvencione do të realizohen së shpejti, ndërkohë që ka dërguar edhe një kërkesë lidhur me këtë çështje në Ministrinë e Financave.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se do të jetë i gatshëm të dalë në terren për të vizituar fermerët, për t’u njohur nga afër me problemet me të cilat ata përballen.

Peci: Do t’i vesh çizmet dhe të dalë në terren për të parë vështirësitë e fermerëve

“Imazhi i Ministrisë së Bujqësisë është tejet i rënduar dhe një prej shkaktarëve është keqmenaxhimi në të kaluarën, për çka unë besoj se ju si ish-kryeministër dhe ish-ministri juaj i Bujqësisë Rikallo është njëri nga ata që e ka humbur imazhin e këtij institucioni, për shkak se akuzohet për abuzimin me 4 milionë euro dhe trajtimin në mënyrë jo meritore të masave që i ka ndërmarrë duke e trajtuar një territor të Republikës së Kosovës në mënyrë të veçantë karshi masave tjera që është dashur të ndërmerren. Unë angazhohem që të krijojë politika të mira, të cilat sigurojnë në radhë të parë avancimin e legjislacionit të politikave të qarta për bujqit që evitojnë barrierat e panevojshme, dhe gjithsesi se unë do t’i vesh çizmet dhe do të dalë në pjesë në terren për të parë cilat janë vështirësitë e fermerëve... Pagesa do të realizohet shumë shpejt, dje ka shkuar kërkesa në Ministri të Financave”, tha ai.

Deliu-Kodra: Sot mashtrimet e Kurtit nuk janë risi

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se Kurti dhe të tjerët e kanë për qëllim përdhosjen e gjithçka çka e përfaqëson shtetin e Kosovës.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Deliu deklaroi se edhe mungesa e flamurit amerikan në tavolinën e takimit mes ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, zëvendësndihmësi sekretarit të shtetit amerikan, Matthew Palmer dhe ndërmjetësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është aksidentale.

“Kurti dhe të tjerët e kanë dëshmuar vetëm një qëllim, të përdhosjes së gjithçka çka përfaqëson shtetin e Kosovës, duke sulmuar gjithë mbrojtësit e tij. As mungesa e flamurit amerikan në takimin e Gërvallës me Palmerin nuk ishte aksidentale, sikurse nuk është as përçmimi i Walkerit. Dje nga rruga, nga opozita e sot nga pushteti Kurti dhe të tjerët nuk lanë pa lëvizur gurë të themelit të shtetësisë së Kosovës për ta dorëzuar të shembur në tavolinën e Lajcakut”, ka thënë ajo.

Deputetja e PDK-së, tha se Kurti në tavolinën e dialogut me Serbinë do të tregojë se si Kosova është shtet kriminal i rezultuar nga një organizatë kriminale.

“Kosova e Kurtit do të ulet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë me letrën e dëshmisë së tyre përmbi si një shtet kriminal i rezultuar nga një organizatë kriminale. Mohimi i shtetësisë, ushtrisë nuk kanë qenë e as nuk do të jenë ndonjëherë argument kundër Serbisë. Të gjitha ata që e kanë jetuar realitetin, sot mashtrimet e Kurtit nuk janë risi”, ka thënë ajo.

Peci replikon me Haradinajn

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë replikuar sot në Kuvendin e Kosovës. Përderisa, Haradinaj insistonte në pyetjen se a do të kryejë ministria pagesat për subvencionet për bujqit dhe fermerët, Peci e akuzoi Haradinajn se e ka dëmtuar imazhin e ministrisë me Nenad Rikallon ministër.

“Qeveria e re duket se e ka zor me e zotëru agjendën e vet, e në këtë zor të qeverisë së re janë gjendur keq edhe bujqit, fermerët. Ata e kanë pasur një pako të dakorduar financiare në dy rata. Ratën e parë e ka dhënë qeveria ‘Hoti’. Rata e dytë nuk u është paguar fermerëve, vreshtarëve. Njëkohësisht vreshtarëve, pemëtarëve e perimtarëve dhe fermerë janë shumë të shqetësuar që nuk u janë shpërndarë aplikacionet për subvencionet e rregullta në këtë vit. Në praktika ato shpërndahen në mars. A do t’i paguani ratën e dytë dhe a mund të shpejtoni në shpërndarjen apo ka edhe informata se ju do të ndërhyni në mënyrën se si do të ndahen këto subvencione. Këto nuk janë fjalë vec të mijat por i kam marrë prej shumë vreshtarëve, fermerëve”, ka thënë Haradinaj.

Po një përgjigje tjetër pati, Peci. Ai tha se brenga e vetme e Haradinajt është pse ai po takohet me ambasadorë.

“Unë po marrë pyetje me shkrim nga ju se pse po takohem me ambasadorë e spo i mathi çizmet. Unë takojë ambasadorin amerikan sepse është i rëndësishëm kontributi i USAID në sektorin e bujqësisë. E takoj ambasadorin gjerman sepse është e rëndësishme kontributi që ka dhënë Gizzi gjerman e që edhe janë tërhequr nga shumë projekte në të kaluarën sepse e kanë vlerësuar qeverinë shumë korruptive. E takoj ambasadoren suedeze sepse Suedia është një prej shembujve më të mirë të menaxhimit të pyjeve dhe me çështjet që kanë të bëjnë me energjinë. Mendoj që imazhi i Ministrisë së Bujqësisë është i rënduar dhe është ish-ministri juaj Rikallo që e ka humbur imazhin e Ministrisë së Bujqësisë”, ka thënë ai.

Mirëpo Haradinaj serish insistoi në pyetjen e tij, e për të cilën nuk mori përgjigje nga Peci.

“Sa të keni kohë takohuni. Ajo që po mungon është se a keni me pagu ratën e dytë, sepse ata janë duke pritur që një kohë. A mos keni me ja u heq subvencionet. Unë më nuk ju bëj pyetj, por i keni në qafë bujqit”, tha Haradinaj.

Zemaj ia rikujton Kurtit thirrjet se s’do të ketë takim me Serbinë pa kërkuar falje për krimet e luftës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Armend Zemaj në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka pyetur kryeministrin Albin Kurti nëse janë plotësuar kriteret dhe thirrjet e Lëvizjes Vetëvendosje se nuk do të ketë takim me palën serbe në Bruksel, pa kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin në Kosovë.

Më herët është paralajmëruar se një takim i kryeministrit Albin Kurti me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq do të mbahet kah mesi i këtij muaji në Bruksel, e që do të ishte takimi i parë i tyre në procesin e dialogut.

Zemaj sot në Kuvend ka përkujtuar para deputetëve nëse janë plotësuar të gjitha kushtet për mbajtjen e këtij takimi, duke pasur parasysh se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Zemaj: A janë plotësuar kriteret se s’do të ketë takim pa kërkuar falje?

“A janë plotësuar kriteret nga rezoluta e Kuvendit të Kosovës edhe thirrjet e LVV-së që nuk do të ketë takim pa kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin në Kosovë, pa paguar apo marrë përgjegjësinë për dëmet e luftës dhe pa kthyer të pagjeturit. Nëse do të ketë një takim para këtyre, atëherë cila është përgjegjësia apo fjala e dhënë, kërkesat, sulmet, etiketimet në të kaluarën”, tha Zemaj.

Ndryshe, kryeministri Kurti në maj të këtij viti kishte deklaruar se procesi i dialogut do të jetë i përgatitur mirë dhe se do të përfundojë me marrëveshje për njohje reciproke, teksa ka paralajmëruar edhe padi për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

​Kadrijaj: Deputetët e LVV-së nuk marrin pjesë në seanca gjyqësore, tash janë mbi ligjin

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka komentuar mungesën e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmire Vrenezi në seancë gjyqësore, ku po akuzohet për korrupsion. Ajo tha se deputetët e LVV-së, tashmë janë në pushtet dhe janë mbi ligjin.

Deputetja Kadrijaj tha se me këto veprime, qeveria po dëshmon se nuk është qeverisje ndryshe.

Kadrijaja: Deputetët e LVV-së e injorojnë ligjin sepse tash janë në pushtet e janë mbi ligjin

“Të gjithë jemi për rend dhe ligj dhe askush nuk është mbi ligjin. Sot deputetja e LVV-së ka munguar në seancën gjyqësore, ku akuzohet për korrupsion, e për këtë seanca ka dështuar. Atëherë cila është arsyeja që kjo deputete nuk iu ka përgjigj thirrjes për me marrë pjesë në seancën gjyqësore. Pra, deputetët e LVV-së e injorojnë ligjin sepse tash janë në pushtet e janë mbi ligjin, kjo nuk është qeverisje ndryshe, po më keq sesa qeverisje. Kjo qeveri që është thirr për një qeveri me duar të pastra po del që është mashtrim sepse kemi ministra me aktakuza, po edhe shumë deputetë nga LVV që janë me aktakuza. Kopje e keqe e kësaj qeverie”, tha ajo. 

Deputetët në seancën e sotme shqyrtojnë edhe Projektligjin për kodin e procedurës penale

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë përfshirë në rend të ditës të seancës së sotme edhe shqyrtimin e dytë të Projektligjit për kodin e procedurës penale.

Përfshirjen e kësaj pike në rend të ditës e përkrahën të gjitha partitë politike parlamentare

Ndërkohë që seanca është duke vazhduar ende.

Nuk kalon rezoluta e PDK-së për arsimin

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar rezolutën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) pas debatit që është mbajtur sot në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19.

Vetëm 27 vota kanë qenë për miratimin e kësaj rezolute, 50 kundër dhe asnjë abstenim.

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu, ka prezantuar rezolutën, ku ndër pikat e propozuara ishte që qysh nga e hëna mësimi të kthehet me orar të plotë dhe të rregullt.

Deliu: Nga e hëna mësimi të kthehet me orar të plotë dhe të rregullt

“Kuvendi i Kosovës obligon qeverinë e Kosovës që të ndajë buxhet për mbështetje financiare shtesë mbi pagën bazë të personelit të institucioneve të nivelit të arsimit para universitar në shumën prej 100 euro për muajin prill, maj dhe qershor 2021. Obligon qeverinë e Kosovës që të rris mbështetjen për mësuesit dhe prindërit në mënyrë që ata t’i ndihmojnë fëmijët për të mbetur të angazhuar në shkollë. Obligon qeverinë e Kosovës që të hartojë planin për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë verës bazuar në një plan për mësim intensiv të natyrës së shkollave verore që duhet të koncentrohet në lëndët kryesore, për të kompensuar kështu humbjet e të nxënit të fëmijëve, veçanërisht për ata që rrezikojnë të mbesin prapa. Obligon qeverinë që pas marrjes së opinionit të IKSHPK-së nga e hëna mësimi të kthehet me orar të plotë dhe të rregullt”, tha ajo.

Ndër pikat e tjera të prezantuara në këtë rezolutë ishte edhe vaksinimi i të gjithë mësimdhënësit në të gjitha nivelet deri më 1 shtator.

Deliu: Deri më 1 shtator të vaksinohen të gjithë mësimdhënësit

“Obligon qeverinë që deri më 1 shtator të vaksinohen të gjithë mësimdhënësit në të gjitha nivelet duke përfshirë institucionet publike dhe private në mënyrë që të jemi të përgatitur për fillim të vitit shkollor 2021/2022. Obligon qeverinë e Republikës së Kosovës që të zhvillojë programe trajnuese për të përmirësuar aftësitë digjitale dhe të mësimdhënies në distancë të mësuesve. Obligon qeverinë e Kosovës që të ndajë mjete financiare shtesë për komunat të cilat kanë nevojë me qëllim të rritjes së kapaciteteve dhe të masave mbrojtëse dhe parandaluese nga virusi COVID-19. Obligon qeverinë e Kosovës që të ndajë mjete financiare shtesë për institucionet publike të arsimit për qëllim të rritjes së kapaciteteve dhe masave mbrojtëse dhe parandaluese nga virusi COVID-19 në hapësirat universitare. Obligon qeverinë e Kosovës që të udhëzojë institucionet e arsimit të lartë që të hartojnë plane dhe udhëzues për përmirësimin e organizimit të arsimit sipas specifikave të fushave përkatëse studimore”, tha ajo.   

 Ganimete Musliu pyet pse veshi uniformë burri i Vjosa Osmanit: A është kjo shkelje e ligjeve?

Pjesëmarrja e Prindon Sadriut, burrit të presidentes Osmani pa asnjë ftesë e madje me uniformë ushtarake në ushtrimin e FSK-së në “Defender Europe” kishte shkaktuar reagime të mëdha në opinion dhe në media.

E për këtë çështje është folur edhe sot në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka pyetur qeverinë se mbi çfarë baze ka marrë pjesë Prindon Sadriu aty, duke qenë se ai është rezervist.

“U zbeh imazhi i FSK-së dhe ngjarjes në përgjithësi. Kjo u bë nga institucionet e vendit. Jemi të detyruar që qeverisë t’ia adresojmë disa pyetje. Pjesëmarrja e bashkëshortit të presidentes i zbehu imazhin shtetit tonë dhe ushtrisë sonë”, ka thënë ai.

Ai ka vazhduar me disa pyetje, duke aluduar se janë shkelur ligjet dhe Kushtetuta e vendit.

“Çfarë grade mban Prindon Sadriu? Si rezervist që është, ai është i obliguar që të marrë pjesë në trajnime. A ka pasë ftesë për pjesëmarrje në këtë ceremoni dhe nga kush është ftuar. Në çfarë cilësie ka marrë pjesë  ai aty? Nëse ka marrë pjesë si burrë i presidentes, pse ka veshur uniformën?”, ka thënë ajo.

“A është kjo shkelje e ligjeve? A është shkelje e Kushtetutës?”, ka thënë ajo. 

Nuk miratohet rezoluta për arsimin e propozuar nga PDK-ja

Deputetët e Kuvendi të Kosovës nuk e kanë miratuar rezolutën për arsimin të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Nënkryetarja e Kuvendi, Saranda Bogujevci, ka thënë se kjo rezolutë nuk kalon pasi ka 27 vota për dhe 50 vota kundër dhe asnjë abstenim.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu, e cila e ka propozuar këtë rezolutë, ka thënë se një iniciativë e tillë që është nisur nga ata do të duhej të fillonte të trajtohej nga Qeveria dhe jo të ketë kritika rreth diskutimit të saj në Kuvend.

***

Pas debatit rreth katër orësh për arsimin gjatë pandemisë Covid 19, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë deri në orën 15:30.

Para përfundimit të debatit, në pritje për të marrë fjalën janë edhe tre deputetë të tjerë. Më pastaj pritet që sot të fillojë seanca e re plenare.

***

 Ish-ministri i Shëndetësisë thotë se interesimi për vaksinim është i madh

Deputeti i LDK-së Armend Zemaj e ka pyetur ministren e Arsimit Arbëri Nagavci se kur do të fillon zbatimi i programit që çerdhet të jenë pa pagesë dhe mësimi i lartë.

Ish-ministri i Shëndetësisë thotë se interesimi për vaksinim është i madh.

“Interesimi i mësimdhënësve për vaksinim është i madh dhe ju nuk e thatë për këtë asnjë fjalë”.

“Çerdhja do të jetë pa pagesë për të gjithë fëmijët kur do ta filloni këtë. Keni thënë që do të ketë arsim të lartë pa pagesë kur do të filloni edhe këtë”.

***

Musliu-Qeverisë: Grahni punës, ndalni eksperimentet me arsimin dhe presionin ndaj mësimdhënësve

Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet lidhur me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë, tha se ky organizim ka dështuar në të gjitha nivelet, sepse tri qeveritë Kurti 1, Hoti dhe Kurti 2, kanë pasur qasje improvizuese dhe pa plan.

Musliu tha se përkundër faktit që mësimdhënësit në Kosovë po kërkojnë nga institucionet shëndetësore që të futen në listën me prioritet e të vaksinohen kundër Covid-19, qeveria po tallet me ta.

“Në vend që të bashkëpunojë ngushtë me SBASHK-un, me këshillat e prindërve dhe me mësimdhënësit, qeveria aktuale po bënë presion mbi SBASHK- un duke tentuar ta vendosë kontrollin mbi ta, e nga ana tjetër në këshillin e prindërve të Kosovës për kryetar kemi një militant partiak i cili tërë ditën rri duke bërë propagandë për VV-në në rrjete sociale, në vend që të mirret me problemet e shkaktuar nga pandemia”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së duke thënë se duhet të ndalen eksperimentet me arsimin kritikoi qeverinë për presion psiqik dhe ndaj mësimdhënësve me futjen në provime vlerësuese, në vend që të ju ofroj trajtime të duhura për menaxhim të stresit gjatë kësaj periudhe.

“Është hera e dytë që mësimdhënësit e Kosvovës po sfidohen. Heren e parë mesimdhënësit e Kosovës kanë dhënë një provim të vështirë. Ata në kohen e aparteidit serb kanë qendruar të palëkundur dhe kanë bërë historinë. Dhe hera e dytë është tani kur kjo qeveri, po tenton t’i vëjë mesimdhënësit para provimit më të rëndë. Herën e parë ishte një kohë e vështirë por dinjiteti i tyre ishte i pacenuar kurse sot kjo kategori po sfidohet në dinjitet në një kohë që përballë kemi edhe një armik të padukshëm që quhet Covid 19. Mesimdhenesit duhet të mbështeten dhe të stimulohen duke ju ofruar kushte e duke ju mbrojtur dinjitetin”, tha ajo.

Musliu theksoi se Kosova po sfidohet nga egoistët të cilët kanë besuar se me demagogji i hedhin pluhur syve popullit.

“Krejt çka kërkohet nga ju pushtetarë të mbërthyer në hipnozën e pushtetit është që t’i grahni punës dhe të dëshmoni që e keni meritu fitoren. Deri me tani keni dëshmuar vetëm një gjë: që fitorja juaj do të vlerësohet vetëm si një fitore aksidentale e cila shpejtë do të kujtohet dhe ju do të mbaheni në mend vetëm si një ëndërr e frikshme për qytetarët dhe elektoratin tuaj”, tha Musliu.

***

Nagavci: Nuk kam ndërhyrë në kompetencat e komunës në Kamenicë

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci tha se kanë hartuar udhëzimin administrativ për përfshirjen e punimeve shkencore në mësimdhënie. Ajo tha se tani ky udhëzim është në diskutim publik dhe se shumë shpejtë do të miratohet në ministri.

“Tashmë e kemi në plan dhe e kemi hartuar udhëzimin administrative. Drafti është në diskutim publik dhe shumë shpejtët do të miratohet në ministri. E para është granti për mësimdhënësit që e përfshijë hulumtimin në mësimdhënien e tyre në nivelin akademik dhe e dyta për shpërblim të profesorëve  që i kanë pasur rezultatet më të larta”, deklaroi Nagavci.

Gjatë fjalimit në seancën e Kuvendit të Kosovës, ministrja e konsideroi shqetësuese, qëndrimet e deputetëve lidhur me mbajtjen e orëve shtesë.

“Sa i përket çështjes për vendimin për mësimin shtesë, është shqetësuese që ka deputetë që e quajnë vendim skandaloz. Jemi të vetëdijshëm që në shkollat e Kosovës ka mësimdhënës të ndërgjegjshëm që mbajnë mësim plotësues. Tani kam marr vet pjesë në orët shtesë që janë organizuar, kam mbajtur orë plotësues për nxënësit në nevojë dhe të shohësh që sot jepen deklarata të tilla  për mua është pak e habitshme”, ka thënë ajo.

Ministrja në seancë është deklaruar edhe me çështjen e kthimit të fëmijëve në shkollë në Komunën e Kamenicës.

“Lidhur me çështjen e kthimit të fëmijëve të Kamenicës në mësim, janë tri çështje: reforma, ri-organizimin i shkollës dhe mësimi alternativ i përshpejtuar. Jemi në përgatitje për riorganizimin e shkollave të Kosovës. Në Kamenicë çështja është mes kryetarit të komunës dhe prindërve e që duhet që sa më shpejtë të arrijnë një zgjedhje”, ka thënë Nagavci.

Ndër të tjera ajo tha se nuk ka ndërhyrë në çështjet e komunës.

***

Nagavci: Janë më shumë se dy dekada ndërhyrje brutale të partive politike në arsim

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka theksuar se për më shumë se dy dekada, ka pasur ndërhyrje brutale të partive politike në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë.

Nagavci gjatë seancës së sotme ku po diskutohet për gjendjen në arsim, i është drejtuar partive opozitare të cilët dhanë kritika lidhur me këtë çështje.

“Gjendja në arsim është larg rezultateve që të gjithë ne i synojmë dhe i dëshirojmë. Kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Nuk është këtu më shumë se dy gjenerata të humbura, por janë më shumë se dy dekada ndërhyrje brutale e partive politike në të gjitha nivelet e arsimit në përgjithësi. Këto ndërhyrje kanë bërë që përkundër përkushtimit të jashtëzakonshëm të shumë mësimdhënësve dhe stafit të tjetër në shkolla, rezultatet të mos jenë ato që i dëshirojmë”, u shpreh ajo.

“Ju lus edhe njëherë që të reflektoni për të gjithë ndërhyrjen që e keni pasur në të kaluarën dhe të ndihmoni që me një kritikë konstruktive dhe me një bashkëpunim të punojmë së bashku për të arritur rezultatet që po i dëshironi”, tha tutje Nagavci.

***

Dreshaj i AAK-së: Qeveria Kurti nuk e ka prioritet arsimin në vend

Shemsedin Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit të Kosovës në të cilën po debatohet për arsimin gjatë kohës së pandemisë tha Qeveria Kurti nuk e ka prioritet arsimin në vend. 

Dreshaj ndër të tjera tha se e ardhmja e vendit është rinia, dhe siç u shpreh ai “Nëse e vrave rininë, e vrave vendin”.

“Kërkesa për debat parlamentar është bërë më 26 prill 2021, dhe pas një muaj e gjysmë sot është para jush dhe mendoj që kjo tregon mjaft për seriozitetin qeveritar. Më të rëndësishme për qeverinë ishin ARKEP-i dhe bordet…Sipas qeverisë debati për arsim mund të presë ‘kemi punë të tjera dhe me prioritet’, ‘Pagat i kanë të mira dhe besa besë edhe janë të stimuluar’.

Le t’i kthehemi temës, e ardhmja e vendit është arsimi, e vrave rininë e vrave vendin. Në këtë rënie të vazhdueshme si kapak na erdhi pandemia, dhe çka u bë? U mbyll arsimi prej parashkollor deri në atë universitare. Kaluam në sistemin online pa përgatitje pa strategji… Nuk mund të mbahet pjesa praktike pa prezencë fizike”, tha ndër të tjera Dreshaj.

***

Bajrami kërkon që nxënësit nga e hëna të kthehen fizikisht në klasa

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se pandemia e ka goditur rëndë sektorin e arsimit.  Ajo tha se pandemia ka ndikuar edhe në vendet e tjera, por që pasojat kanë qenë të ndryshme.

“Pandemia ka goditu rëndë arsimin, edhe shtete e zhvilluara me arsim të digjitalizuar janë përballur me sfida gjatë organizimit të  mësimit në kohë pandemia. Shkaku ka qenë i njëjti gjithandej por pasojat e ndryshme”, deklaroi ajo.

Bajrami shprehu shqetësimin se pasojat e pandemisë do të përcillen tek këto gjenerata edhe në kohën e punësimit të tyre.

“Të gjitha të dhënat tregojnë që pandemia shkakton humbje të mësimit, mësimnxënies dhe kjo situatë përcillet me efekte të gjata negative siç janë humbjet që do të përcillen me mundësi më të vogla të punësimit në të ardhmen dhe me të ardhura më të vogla gjatë punësimit të këtyre gjeneratave. Ne kërkojmë nga ju që të bëni një strategji”, ka thënë Bajrami.

Bajrami foli edhe për periudhën sa ishte ministre në fillim të vitit 2020, kur edhe u shfaq virusi Covid-19, në Kosovë

Ajo tregoi se janë munduar që të krijojnë platforma për gjithë përfshirje në arsim, duke përmendur kështu edhe pajisjen e nxënësve me pajisje teknologjike.

Ndër të tjera deputetja e LDK—së, ka thënë se rekomandojnë që nga e hëna të fillojë mësimi fizikisht në shkolla.

“Ne rekomandojmë që duke marrë parasysh që numri ka ra dhe jeta i është kthyer normalitetit, kërkojmë që nga e hëna ministria të marrë vendim që mësimi të zhvillohet në shkolla dhe mësimi të realizohet në shkolla. Rekomandojmë që poashtu të krijohen edhe shkolla verore që të kompensohen orët e humbura”, ka thënë Bajrami.

***

Hoxhaj: Po i humbasim tri gjenerata në arsim

 Në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për arsim kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se Qeveria Kurti nuk është duke e kuptuar rëndësinë që ka kjo temë.

Ai tha para deputetëve, që në Kuvend shpesh është diskutuar për humbje të jetës nga pandemia, por jo edhe për humbjen e një gjenerate në arsim.

“Në këtë Kuvend shpesh herë e kemi pas humbjen e jetës, po nuk e kemi diskutuar se si po humbet një gjeneratë në arsim”, tha Hoxhaj, duke shtuar se që tri herë kosovarët në 30 vitet e fundit po e humbasin nga një gjeneratë.

“Në 30 vitet e fundit, 3 herë radhazi ne e kemi humbë nga një gjeneratë në arsim, në vitet e 90-ta, kur Qeveria i ka mbyllë shkollat, në vitet 98-99 kemi humb një gjeneratë, dhe tash në këto dy vite jemi ka e humbim një gjeneratë”, shtoi ai.

Megjithatë, sipas Hoxhajt, Qeveria Kurti nuk po e kupton rëndësinë e kësaj teme, pasi që shton se kryeministri mungon në sallë.

“Mënyra më e mirë me tregu që kjo qeveri nuk po e kupton rëndësinë e kësaj teme, është mungesa e kryeministrit.  Çka nënkupton humbja e një gjenerate në arsim, për këtë ka analiza të ndryshme. Qeveria Kurti nuk ka as mendim politik as strukturor se cka duhet të ndodhë në sistemin tonë arsimor, për këtë arsye e kemi ftu këtë debat”, tha tutje Hoxhaj.

***

Deputeti i VV-së e krahason opozitën me ‘Nostradamusin’

Deputetët po diskutojnë për situatën me arsimin gjatë pandemisë COVID 19, në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i LVV-së, Ardian Gola në seancën e sotme tha se deputetët duhet të dijnë se ku po e bëjnë adresimin e përgjegjësive, duke i reaguar deklarimeve të deputetes së PDK-së, Blerta Deliu që tha se Qeveria Kurti e ka keqmenaxhuar situatën me arsim gjatë pandemisë.

“Duhet pasur kujdes që adresimin e përgjegjësive të mos e bëjmë në adresa të gabuara”, tha Gola, duke shtuar se kërkesa për debat paralamentar ka huqje.

“Kërkesa për debat paralmentar përvec huqjeve në analizën e gjendjes ekzistuese shpërfaq përpjekje prej Nostradamusi për parashikim të rezultateve të qeverisjes.Pandemia COVID është e qartë që ka shkaktuar efekt dhe dëme edhe në vende të zhvilluara, në të gjitha sferat përfshirë këtu edhe arsimin”, ka thënë ai.

***

Deliu i drejtohet Nagavcit: Nuk e di a e ke vizituar ndonjë shkollë të vetme

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për arsimin ka pasur disa kritika për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcin.

Para deputetëve, Deliu ka thënë se masat e Qeverisë për t’u mbrojtur nga përhapja e COVID 19 kanë ndikuar në jetën e mbi 30 mijë nxënësve dhe profesorëve.

Deliu tha se shumë fëmijë nuk kanë qenë pjesë e transformimit që është bërë nga mësimi tradicional në atë elektronik.

“Masat e shpallura nga Qeveria e kanë ndikuar jetën e nxënësve dhe të mbi 30 mijë mësimdhënësve dhe profesorëve. Kalimi nga mësimi tradicional në atë elektronik ka bërë që shumë të mos jenë pjesë e këtij transformimi”, ka thënë Deliu.

E njëjta tha se edhe viti shkollor ka filluar me dy javë vonesë, e për këtë arsye fëmijët kanë humbur disa javë mësimi.

“Qeverisja që pasoi në verën e vitit të kaluar edhe pse kishte në dispozicion muajt e verës që të organizojë mënyrën e mësimit në kohë të pandemisë, edhe fillimin e vitit shkollor e filloi me dy javë vonesë”, tha deputetja e PDK-së, që tutje e ka pyetur Nagavcin nëse prej se e ka marrë detyrën ka vizituar të paktën një shkollë të vetme në vend.

“Zonja ministre nuk e di nëse e ka vizituar ndonjë shkollë të vetme, përveç se është përzirë në kompetencat e disa prej shkollave. Çfarë do të ndodhë me 32 mijë fëmijët që trashmë e kanë humbur një vit shkollor për shkaqet që unë i përmenda?”, ka thënë Blerta Deliu.

Image

***

Ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës në lidhje me arsimin.

Kjo seancë filloi si vazhdim i seancës së javës së kaluar për debatin parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19.

***

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot për të vazhduar seancën e javës së kaluar për debatin parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19.

Ndërsa në ora 15:00 do të fillojë seanca e re.

Në këtë seancë, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të vijohet me shqyrtimin e propozimit për një kandidat për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, si dhe propozim vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare.

Pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seance, e cila pritet të zhvillohet të premten prej orës 10:00, do të jetë interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Falja e gjobave bizneseve të prekura nga situata me COVID-19”. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat