E pyetur se a pret që marrëveshja përfundimtare të arrihet brenda këtij viti, Edita Tahiri tha se është e rëndësishme që një gjë e tillë të ndodh pasi që Ballkani ka mbetur në një situatë të paqartë.
Ajo tha se për arritjen e kësaj marrëveshje përveç Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë edhe angazhim të partneritetit euroatlantik.
“Ajo çka dua të them, brenda një viti prej tash duhet të përfundon dialogu, kjo është edhe porosi për BE-në, sidomos për SHBA-të, që të angazhohen dhe t’i gjejnë të gjitha mundësitë që ta përfundojnë brenda vitit sepse Ballkani ka mbetur në situatë të paqartë.
E para BE-ja, nuk është e qartë në integrimin e 6 shteteve të Ballkanit përfshirë Kosovën, e dyta disa vende sidomos Serbia kanë hapur shteg për gjeopolitika ruse në Ballkan, ndërhyrjen e palëve si Kina, pra kjo është porosi për bllokun euroatlantik se Ballkani nuk duhet të bëhet një fushëbetejë e luftës gjeopolitike sepse Ballkani është përcaktuar për gjeopolitikë perëndimore euroatlantike, prandaj duhet të përshpejtohet integrimi në BE i 6 vendeve, por edhe në NATO përveç Serbisë që nuk ka shprehur dëshirë të jetë pjesë e NATOS”, tha ajo .