Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka thënë se rezoluta për rimëkëmbjen e arsimit nga COVID-19 që është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës në Kuvendin e Kosovës, është më shumë për spektakël politik sesa që kishte diçka përmbajtësore.
Kjo rezolutë nuk ka arritur të miratohet nga deputetët e Kuvendit gjatë seancës së sotme, pasi mori 27 vota për, 50 vota kundër dhe asnjë abstenim.
“Qeveria Kurti ka filluar t’i përmirësojë gabimet e qeverisjeve të kaluara, duke filluar nga ato edhe të PDK-së dhe të gjitha qeverisjet me radhë që e kanë sjell në këtë gjendje arsimin. Mirëpo, duke i shtuar kësaj edhe ndikimin e pandemisë ku ka vazhduar ta sjellë arsimin në një gjendje jo të mirë. Qeveria është duke punuar fortë, që këto të përmirësohen dhe të fillojë një reformim i arsimit në përgjithësi.
Ndërsa, për rezolutën e PDK-së, janë rezoluta më shumë që kanë për qëllim spektakle politike aty në Kuvend, sesa që kanë diçka përmbajtësore apo që mund të ndryshojnë diçka”, ka thënë Rrahmani.