Debati i nxitur nga opozita kosovare për faljen e gjobave gjatë pandemisë ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik. Një pjesë e madhe e reagimeve, janë kundër kësaj faljeje, por ka edhe të tillë që duan të ndodhë një gjë e tillë.
Juristi Kujtim Kërveshi ka thënë se borxhet nuk duhet të fallen.
“Nuk duhet të falen, ato ndiqen dhe i shtohen arkës së shtetit! Pikë!
Ndryshe, bravo Hekuran Murati! Më vjen mirë që nuk paskam gabuar në vlerësim personal për ty kur ke vendos me u kyq në politikë! Të lumtë!”, ka shkruaar Kërveshi në Facebook..
Edhe gazetari kosovar Agron Bajrami, është shprehur kundër një faljeje të tillë. “...falja e gjobave është padrejtësi ndaj qytetarëve të ndërgjegjshëm...”, është postimi i tij në rrjetet sociale.
Juristi Ehat Miftaraj nga IKD e ka quajtur gjithashtu të gabuar një falje të tillë.
“Falja e borxheve per qytetare dhe biznese nenkupton avancim te kultures se pandeshkueshmerise, ne kurriz te qytetareve te ndershem dhe bizneseve te pergjegjshme!”, ka komentuar Miftaraj në llogarinë e tij në Facebook.
Publicisti Asdren Rrahmani është shprehur i befasuar nga zhvillimet rreth kësaj çështjeje.
“Kosova ta çuditë edhe pikëçuditësen!
Opozita kryesisht e djathtë kërkon të falen dënimet/borxhet.
Qeveria e majtë nuk pranon që të falen dënimet/borxhet.”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Ish-kryeministri Avudllah Hoti ka kërkuar sot në Kuvend faljen e gjobave për bizneset e ndëshkuara në pandemi.
Deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti theksoi se kërkesa nga GP e AAK-së është e legjitime.
Por, rezoluta e inicuar nga AAK-ja ka dështuar.
Nisma për faljen e borxheve erdhi nga PSD-ja përmes një peticioni që po nënshkruhet nëpër Kosovë.
Sipas të dhënave, gjatë vitit të kaluar janë shqiptuar pothuajse 202 mijë gjoba kundër qytetarëve, në mesin e të cilëve janë shumë biznese, të cilët thuhet se kanë shkelur masat kundër Covid-19!
Bizneset kanë kërkuar që të falen borxhet.
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, kërkon që të mbështetet iniciativa për faljen e dënimeve të shqiptuara gjatë pandemisë ndaj kësaj pale të gjobitur.
Gjithashtu OHTK kërkon që Bizneseve të cilët kanë paguar gjoba t’iu kthehen paratë.
Përderisa nuk ka ndihma ndaj këtyre Bizneseve, nuk ka logjikë që ato të ngarkohen edhe me gjoba të tilla, të cilat sipas hulumtimeve në terren kanë qenë shumë të larta, e sidomos në këtë gjendje të ulët Ekonomike që jemi!
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit kërkon që Institucionet tona t’i marrin edhe shembujt e rajonit, p.sh Shqipëria u ka falur një pjesë të gjobave të shqiptuara.
Megjithatë qeveria Kurti duket se nuk e ka ndërmend të tolerojë shkelësit e ligjit.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se nuk do të ketë faje të gjobave.