Nënkryetari Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka paralajmëruar Qeverinë Kurti, se nëse nuk e trajton me seriozitet dialogun me Serbinë, rrezikohet të shkohet në një hap tjetër, që është sipas tij konferencë ndërkombëtare, ku vjen politika e karotës dhe shkopit e tipit ‘merre ose leje’.
Ai madje thotë se Qeveria e Kosovës nuk guxon të hyjë në negociata me mentalitet të blerjes së kohës e të shtyrjes, domethënë me mentalitet të Serbisë.
Krejt në fund, ai ka bërë me dije se LDK-ja në këtë proces do të ketë rol veç në Kuvend të Republikës, dhe askund tjetër.
Ja shkrimi i tij:
Nëse Qeveria nuk e trajton me seriozitet dialogun me Serbinë, rrezikohet të shkohet në një hap tjetër, që është konferencë ndërkombëtare, ku vjen politika e karrotës dhe shkopit e tipit ‘merre ose leje’.
Do të varet shumë nga sjellja e delegacionit tonë në qershor. Qeveria e Kosovës nuk guxon të hyjë në negociata me mentalitet të blerjes së kohës e të shtyrjes, domethënë me mentalitet të Serbisë. Duhet të konfirmohet konstruktiviteti, duhet të shkohet me shpirt ofansiv dhe sa më shpejt të ndërtohet ambient për ta përmbyllur procesin.
Ne e kemi bërë të qartë: LDK do të ketë rol veç në Kuvend të Republikës, askund tjetër. Ne do të jemi gardianë të parimeve dhe Republikës!