Opinionisti shqiptar në Amerikë Luz Tomaj, e ka quajtur të papranueshëm, takimin e emisarit amerikan Matthew Palmer dhe emisarit të BE-së Miroslav Lajçak, me krerët e Kishës Ortodokse serbe.
Tomaj ka thënë se ky takim, jo vetëm që nuk i kontribuon dialogut, por përkundrazi bën që të shtrohet pyetja e arsyeshmërisë së dialogut.
Tomaj ka thënë se ai do t’i shkruajë Departamentit Amerikan të Shtetit për këtë takim, përcjell Bota sot.
Reagimi i tij, dërguar në “Bota sot”:
Lajçak-popi serb-Palmer, çka do të thotë he me det, do t’i shkruaj edhe DASH-it
Institucionet e Kosovës, duhet urgjentisht, të informojnë edhe Departamentin e shtetit të SHBA-ve dhe institucionet e BE-së, për takimin dhe përmbajtjen e bisedimeve në mes popit serb dhe të deleguarve Lajçak dhe Palmer. Informatën duhet ilustruar edhe me foton e “famshme”. Një gjë e tillë është e pa pranueshme.
Po iu premtoj se edhe unë, do t’i shkruaj DASH-it, të cilin e kontaktoj kohë pas kohe, dhe do t’i pyes se a i takojnë, ndonjëherë, liderët e ndryshëm fetar, në SHBA, nga se një gjë të tillë nuk e vërej përmes mjeteve të informimit. Kjo çka e bëri Palmer, si i deleguar i DASH-it, është e papranueshme. Ky takim, jo që nuk i kontribuon dialogut, por përkundrazi bën që të shtrohet pyetja e arsyeshmërisë së dialogut.
Edhe Ambasada Amerikane, njoftoi për takimin me liderët e kishës ortodokse. Në një postim në Twitter, ambasada tha se në takim u diskutua për rëndësinë e dialogut dhe “sundimin e ligjit në mbrojtjen e pronave fetare në Kosovë”.