Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi dega e kësaj partie në Drenas e shpalli Driton Ajazin kandidat për kryetar të kësaj komune. PDK-ja thotë se qysh në janar ka vendosur që të rikandidojë kryetarët e komunave në të cilët qeverisë ajo.
Kjo do të thotë se kryesia qendrore e PDK-së e përkrahë kandidaturën e Ramiz Lladrovcit, dhe jo të Ajazit.
‘’Partia Demokratike e Kosovës, respektivisht kryesia qendrore, ka qenë mëse e qartë në janar të këtij viti kur ka vendosur publikisht që të rikandidojë të gjithë kryetarët e komunave në të cilat qeverisë ajo. PDK e ka rikandiduar Agim Aliun në Ferizaj, Naim Ismajlin në Shtime dhe njëjtë pritet të bëjë edhe me Ramiz Lladrovcin në Drenas dhe Besim Ilazin në Kaçanik’’, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas këtij reagimi, javën e kaluar u.d. i kryetarit i PDK-së, Enver Hoxhaj u ka sqaruar edhe në takime private kryetarit të degës së Drenasit, Sejdi Hoxhës dhe deputetit Ferat Shala, dy emrat që flitet se kundërshtojnë kandidimin e Lladrovcit, se kandidatura e kryetarit aktual për Drenasin është çështje e mbyllur.