Gjykimi ku tashmë deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jetmire Vrenezi, së bashku me të akuzuarit Islam Thaqi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, pritet të vazhdojë sot në Gjykatën Themelore në Prizren.
Seanca e fundit për këtë rast ishte caktuar të mbahej më 3 qershor, por e njëjta ishte shtyrë në mungesë të akuzuarës Vrenezi, e cila ishte e angazhuar në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqit, Jetmire Venezit, Egzonë Morina-Thaqit, Arian Tarakut dhe Isë Bislimajt, të cilët po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SHPK në Prizren.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.