Ish komandanti me aktakuzë për arratisjen e Sami Lushtakut dhe blerjen e dëshmitarëve, sulmon Xhelal Sveçlën

Aktuale

Ish komandanti me aktakuzë për arratisjen e Sami Lushtakut dhe blerjen e dëshmitarëve, sulmon Xhelal Sveçlën

Më: 7 qershor 2021 Në ora: 19:30
Skender Tahiri dhe Sami Lushtaku

Tashmë në diskursin publik është rikthyer edhe njëherë diskutimi mbi meritat e luftës dhe se kush kontrobuoi në të e kush jo.

Një debat i tillë filloi në lidhje me figurën e kryeministri aktual, Albin Kurti, e ka vazhduar këto ditë edhe për ministrin aktual të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Skender Tahiri, një ish komandant togu i UÇK-së, i afërt me Sami Lushtakun, ka vënë në dyshim kontributin e Sveçlës gjatë luftës së vitit 1998-1999.

Tahiri pretendon se ka qenë komandant i ministrit Sveçla dhe se ky i fundit ka qëndruar vetëm 10 ditë në njësitin e UCK-së në Klinë të Skenderajt. Po e kaluara e Tahirit është problematike dhe si rrjedhoj dëshmia e tij është e sinkronizuar edhe me reagimin e Sami Lushtakut, i cili reagoj disa minuta pas Skender Tahiri, përderisa ky i fundit ka aktakuza të ngritura për problemet e Lushtakut me drejtësinë.

Pra, Skender Tahiri ka dy aktakuza, njëra në lidhje me ofrimin e shumave të majme të parave për dëshimtarët që të ndryshonin deklaratat e tyre gjatë gjykimit të rastit “Drenica”, pjesë e të cilit ishte Sami Lushtaku që njihet për lidhjet e forta me Tahirin, kurse tjetra për arratisjen e Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK ku u ndihmuan nga një grup personash në mesin e të cilëve edhe Skender Tahiri.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së EULEX-it të vitit 2016 Sami Lushtaku dhe grupi i tij ku bënte pjesë edhe Skender Tahiri ofruan shuma të majme të parave për dëshmitarët e mbrojtur të prokurorisë të cilët pritej të dëshmonin në gjykimin ndaj grupit Drenica.

Aktakuza përshkruante se si u premtuan qindra- mijëra euro për të siguruar që dëshmitarët do t’i ndërronin deklaratat.

Sami Lushtaku dhe Skender Tahiri bashkë me të tjerë akuzoheshin se në periudhën qershor 2013- shtator 2015 kishin ndërtuar një plan për ta detyruar Dëshmitarin F që të ipte një deklaratë të rrejshme në këmbim të një shume parash prej 109 mijë euro.

Por ky nuk është rasti i vetëm kur Tahiri kishte aktakuzë.

Një të tillë Tahiri bashkë me një grup tjetër personash e kanë edhe për ndihmën që kanë dhënë në arratisjen e Sami Lushtakut dhe të tjerë nga QKUK në kohën kur këta të fundit ishin në procese gjyqësore dhe po qëndronin në QKUK për trajtim shëndetësor.

Bashkë me Sami Lushtakun dhe Skender Tahiri në këtë rast akuzoheshin edhe Mërgim Lushtaku, Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Sheremet Jashari, Bajram Dibrani, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat