(E plotësuar 15:58) - Edhe 15 milionë euro në luftimin e pandemisë COVID-19 të ndara nga Qeveria
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar nismën për Marrëveshjen e Financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19”, që është financim shtesë ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Kjo marrëveshje kap vlerën e 15 milionë eurove.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka paraqitur para kabinetit qeveritar kërkesën për miratim të kësaj marrëveshje, e cila në fund mori përkrahjen e të gjithëve.
“Marrëveshja e financimit shtesë kap vlerën e 15 milionë eurove. Mjetet financiare do të destinohen si vazhdimësi e përgjigjes ndaj pandemisë COVID-19 dhe pikë kyçe do të mbetet forcimi i kapacitetit shëndetësorë.
Marrëveshja ka për synim mbështetjen për prokurim dhe distribuim të vaksinave COVID-19”, tha Murati.
***
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të raportojë të premten në Kuvendin e Kosovës lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
Kështu është vendosur në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit.
Ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në një konferencë për medie tha se kjo pikë do të jetë në seancën e rregullt të së premtes, ndërsa të hënën pritet të vazhdojë debati parlamentar për ekonominë.
Ajo tha se në debatin për dialogut do të diskutohet për marrëveshjet e arritura deri më tani dhe objektivët e së ardhmes.
***
Ka filluar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, ku pritet të vendoset për mbajtjen e seancës së radhës.
Në rend të ditës, është shqyrtimi për debatin parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19 si dhe disa projektligje të tjera.
***
Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës, ku pritet të caktohet data e seancës së re të legjislativit.
Në rendin e ditës janë miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit, përgatitjet për seancë plenare, deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme.
Pika tjera të rendit të ditës janë propozim-vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për formimin e komisioneve parlamentare, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, shqyrtimi i raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2020.
Poashtu dhe debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.