Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari e ka quajtur “dëshmi të adresës së vërtetë të gjenocidit serb” dënimin që Apeli ndërkombëtar i Tribunalit të OKB-së ia dha kriminelit Ratko Mlladiq, i cili tërë jetën e vet do ta shpenzojë në burg si përgjegjës për gjenocidin në Bosnjë.
Jashari në një postim në Facebook ka thënë se dënime të tilla të merituara nuk kanë marrë shumë kriminelë serbë, që bënë krime të tmerrshme në Kosovë.
Ai ka nënvizuar faktin se Kosova, 22 vite pas lufte nuk ka bërë padi ndaj Serbisë për gjenocidin në Kosovë.
“Dënimi maksimal i kriminelëve serb dhe kthimi i të pagjeturve nga Serbia është parakusht i çdo marrëveshjeje eventuale me shtetin serb në të ardhmen”, ka shkruar Jashari.
Postimi i plotë:
Edhe një dëshmi më shumë e adresës së vërtetë të gjenocidit serb.
Dhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara ka konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm për kriminelin serb, Ratko Mlladiq, për krimet e bëra në Bosnje.
Fatkeqësisht dënime të tilla të merituara nuk kanë marrë shumë kriminel serb, që bënë krime të tmerrshme në Kosovë.
Edhe sot 22 vite pas, shteti ynë ende nuk ka bërë padi ndaj gjenocidit serb kurse faktori nderkombëtar ende hesht.
Dënimi maksimal i kriminelëve serb dhe kthimi i të pagjeturve nga Serbia është parakusht i çdo marrëveshjeje eventuale me shtetin serb në të ardhmen.