Dy muaj nga zhdukja e biznesmenit nga Lipjani, ofrohen 20 mijë euro për ata që kanë informata për të

Aktuale

Dy muaj nga zhdukja e biznesmenit nga Lipjani, ofrohen 20 mijë euro për ata që kanë informata për të

Më: 9 qershor 2021 Në ora: 14:12
Bedri Rexhepi

Me 8 qershor janë bërë dy muaj prej kur Bedri Rexhepi nga Lipjani është zhdukur dhe askush nuk di për fatin e tij. Familja e tij, tash po kërkon ndihmën e qytetarëve për ta gjetur Bedriun, madje për këtë po ofron edhe një shumë të majme parash.

Qe dy muaj askush nuk ka pasur asnjë informatë për Bedri Rexhepin nga Lipjani.

Ai u zhduk në rrethana misterioze mbrëmjen e 8 prillit, ndërkaq lidhur me zhdukjen e tij është arrestuar Jeton Vllasaliu, i cili po qëndron në paraburgim nën dyshimet se ka gisht në kidnapimin e Bedriut.

Familja Rexhepi tashmë ka gjetur një mënyrë tjetër për ta kërkuar Bedriun. Ata po dërgojnë mesazhe përmes telefonisë mobile tek qytetarët, për të kërkuar ndihmë në gjetjen e tij.

“Vëllau jonë Bedri Rexhepi nga data 08.04.2021 rreth orës 18:30 është zhdukur në komunën e Novobërdes me veturën me targa 05 406 EJ. Ju lutemi kushdo që ka informacione për vendndodhjen e Bedriut na lajmëroni në nr e telefonit  0038348400052, përveç mirenjohjes që do kemi si familje, ne do të ju shpërblejmë edhe me shumën prej 20,000 €, si dhe të dhënat e juaja do të jenë konfidenciale”, thuhet në mesazhin që familja Rexhepi po ua dërgon qytetarëve.

Vëllai i Bedriut, Adnan Rexhepi, ka deklaruar se familja po kërkon ndihmë qytetarët për gjetjen e tij, pasi sipas tij, institucionet nuk kanë bërë asgjë deri më tani.

“Po shpresojmë se dikush na informon, ajo pjesa kah Novobërda po hezitojnë me folë, po frikësohen, ndoshta me shpërblim tregon dikush diçka, sepse nuk është territor që mund të kalojë dikush e të mos e shohë askush. Kemi shpresë se na ndihmon dikush, sepse deri më tani s’kemi hiç asnjë informatë. Kemi kontaktu me prokurorinë e me policinë, por asnjë informatë, si zakonisht po na thonë ‘hetimet vazhdojnë’”, ka deklaruar Rexhepi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat