Ushtruesi i detyrës së kryetari të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti është më dobëta nga qeveritë e vendit që kanë qenë deri tani.
“Kjo qeveri çdo ditë është duke e degraduar pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Ky vend pas një viti apo dy vitesh do ta sheh që si rezultat i degradimit po humb elementet kryesore të shtetësisë si disa vende që i ngjajnë një enti territorial”.
Ai gjatë diskutimit në Lëvizjen Fol ka deklaruar se Kurti dhe Qeveria nuk janë të përgatitur për bisedimet në kudër të procesit të dialogut.
“Ne ende nuk e kemi parë një platformë të Kurtit për dialog, ajo çka thuhet në programin e qeverisë është qesharake, qoftë për politikë të jashtme, qoftë për dialog. Qeveria e Kosovës nuk është e përgatitur për dialogun politikisht, ata nuk janë të përgatitur në në rrafshin përmbajtësor, nuk janë të përgatitur as në rrafshin diplomatik. Para se të shkojë në Bruksel, Kurti do të duhej të komunikonte dhe të dërgonte qëndrime me ‘nonpapers’ për atë se si e sheh dialogun Kosovë-Serbi, për atë se mund të mbyllet në favor të Kosovës. Ai do të duhej të komunikonte me Washingtonit, Berlinin, Parisin dhe qytete tjera”.
Hoxhaj ka theksuar se është shumë i shqetësuar për paraqitjen e Kurtit më 15 qershor në Bruksel.
“Jam i shqetësuar sesi Kurti mund të shfaqet më 15 qershor në Bruksel, pasi nuk është i përgatitur. Këto që po e them se këto mund t’i shihni deri në fund të vitit si do të marrin formë”.
Ud. i PDK-së tha se po ia rikujton kryeministrit Kurti edhe dy kushtëzimet e tij që i kërkonte para fillimit të dialogut me Serbinë, kërkim faljen nga Serbia dhe kthimin e të pagjeturve.
“Nëse Serbia nuk kërkon falje deri më 15 qershor për gjenocidin e kryer në Kosovës, Albin Kurti nuk duhet të ulet në takim me Vuçiqin”, tha Hoxhaj.