Jo të gjithë anëtarët e Kryesisë së LDK-së u pajtuan me propozimet e kryetarit të ri të kësaj partie, Lumir Abdixhiku për kandidatët për kryetarë komunash dhe për shkarkimin e Agin Veliut nga kryetari i Degës në Podujevë.
Media ka marrë vesh se është ish- ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ai i cili ka dalë kundër kandidatit për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama.
“Zharku e ka votuar kundër propozimin për kandidatin Përparim Rama”, tha ky burim.
Ndryshe, Zharku e kishte kundërshtuar edhe publikisht një deklaratë të Ramës, i cili kishte theksuar se garon nën ombrellën e LDK-së, por që është apolitik.
Zharku sipas burimeve, nuk ishte pajtuar në mbledhjen e sotme të Kryesisë edhe me propozimin e Abdixhikut për shkarkimin e Agim Veliut, nga kryetari i Degës së LDK-së në Podujevë.
“Zharku kundështoi edhe shkarkimin e Veliut”, tha burimi.
Këta janë kandidatët e zyrtarizuar:
- Kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama;
- Kandidat për kryetar të Komunës së Podujevës, Ekrem Hyseni;
- Kandidat për kryetar të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri;
- Kandidat për kryetar të Komunës së Suharekës, Ardian Shala;
- Kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti;
- Kandidat për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha;
- Kandidat për kryetar të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti;
- Kandidat për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.