Lidhja Demokratike e Kosovës, ka zyrtarizuar tetë kandidatët e saj për kryetarë të komunave, për zgjedhjet lokale, që do të mbahen në vjeshtë.
LDK-ja ka rikandiduar të gjithë kryetarët aktualë të komunave që udhëhiqen nga ajo, përveç Agim Veliut. Ai sipas kryetarit Lumir Abdixhiku, nuk kishte vullnet për të garuar.
E zyrtarizimin e kandidaturave të LDK-së e ka komentuar gazetari Xhevdet Pozhari.
Ai ka thënë se tani nuk ka argumente për ta kritikuar Abdixhikun, pasi ai i ka shfuqizuar të gjithë emrat problematikë në partinë e tij, përcjell Bota sot.
“Lumir Abdixhiku, pa shumë zhurmë shfuqizoi thuajse krejt emrat problematikë në LDK. Personalisht, tash për tash, nuk kam asnjë argument me e kritiku. Veç nëse e bëj prej inatit”, ka shkruar Pozhari në një postim në Facebook.
Këta janë kandidatët e zyrtarizuar nga LDK-ja:
- Kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama;
- Kandidat për kryetar të Komunës së Podujevës, Ekrem Hyseni;
- Kandidat për kryetar të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri;
- Kandidat për kryetar të Komunës së Suharekës, Ardian Shala;
- Kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti;
- Kandidat për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha;
- Kandidat për kryetar të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti;
- Kandidat për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.