Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, deklaroi sot se pandemia nxori në pah mundësitë e shumta të mësimit në distancë, ndërsa hulumtimet duhet të tregojnë se si mund të shfrytëzohen në mënyrë sa më optimale kapacitetet e teknologjisë në të ardhmen.
Ajo këto komente i bëri në konferencën dyditore ndërkombëtare të Kosovës për hulumtim arsimor – KICER, ku po marrin pjesë hulumtues nga vende të ndryshme të botës.
Nagavci tha se hulumtimi në arsim i shërben përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit në shkolla, si dhe, në përgjithësi, përmirësimit të shkollës. Ndërsa, duke folur për mësimin në distancë që u imponua nga pandemia, ajo përmendi përkushtimin e mësimdhënësve në këtë drejtim.
Për më tepër, ministrja Nagavci përmendi avancimet që janë bërë në konsolidimin e sistemit të arsimit në Kosovë, por tha se akoma ka probleme serioze për të cilat duhet të punojmë për t’i arritur standardet ndërkombëtare të cilësisë. Ajo theksoi se për këtë qëllim na nevojitet një bazë solide e evidencës shkencore mbi të cilën mund të mbështetet politikëbërja dhe vendimmarrja.
Ndërsa Stergios Tragoudas, menaxher i programin në Zyrën e BE-së në Kosovë, theksoi rëndësinë e hulumtimit në arsim dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur aktivitete të tilla që i kontribuojnë arsimit.
Edhe rektori i UP-së, Naser Sahiti dhe dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi, theksuan rëndësinë e hulumtimit në arsim dhe rolin e Fakultetit të Edukimit në përmirësimin e cilësisë në arsim.
Konferenca organizohet nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe përqendrohet në zhvillimin e politikave arsimore drejt cilësisë në arsim, mësimin dhe mësimin në distancë në arsimin parauniversitar, edukimin për qytetari demokratike, si dhe përfshirjen dhe diversitetin.