Qeveria e Kosovës i ka dorëzuar një raport për zbatimin e marrëveshjeve të dala nga dialogu i është dorëzuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca një ditë para seancës së thirrur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Kuvend për të raportuar para vizitës së tij në Bruksel.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, në emër të kryeministrit Albin Kurti, i ka dorëzuar Konjufcës këtë raport.
Në raportin e publikuar, jepen detaje të hollësishme për (mos) zbatimin e këtyre marrëveshjeve.
Raportin mund ta lexoni KËTU.
Ndër këto pika si problematike është radhitur edhe mënyra e funksionimit të katër komunave veriore të Kosovës.
Në këtë raport thuhet se përkundër disa ndryshimeve pozitive, qeveritarët ende s’lejohet të vizitojnë këtë pjesë të vendit.
“Serbia vazhdon të mbështesë strukturat e saj paralele në Kosovë, duke përfshirë strukturat ilegale komunale në veri dhe në disa pjesë të tjera të Kosovës. Duhet theksuar se zyrtarët e Qeverisë së Kosovë ende nuk mund të bëjnë vizita zyrtare në komunat veriore. Këto komuna lëshojnë dokumente sipas ligjeve të Kosovës kur kanë të bëjnë me institucionet e Kosovës, ndërsa në raport me institucionet e Serbisë ato përdorin logo dhe vula të Serbisë”, thuhet te paraqitja e gjendjes aktuale.
Ndërkaq, si sfida në raport prezantohen vazhdimi i prezencës së strukturave administrative paralele në këtë pjesë, operimi i komunave të reja pa logo zyrtare, si dhe që këto komuna s’mund të marrin fonde të mjaftueshme për të realizuar projekte të ndryshme zhvillimore dhe infrastrukturore”.