Zyrtari i LDK-së, Valon Murtezaj, ka thënë se Agim Veliu nuk është shkarkuar nga pozita e kryetarit të degës së LDK-së në Besianë.
Dje u bë e ditur pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së që Ekrem Hyseni do të jetë kandidat për kryetar komune në Besianë si dhe do të ketë kompetencat e kryetarit të degës.
Mirëpo pas kësaj reagoi Veliu i cili tha se me statut të LDK-së nuk mund t'i hiqen kompetencat, mirëpo më pas një zyrtar i LDK-së tha se me nenin 31 të statutit kompetencat e zyrtarëve nëpër degë mund të hiqen me vendim të Kryesisë.
Por, Murtezaj thotë se Veliu nuk është shkarkuar.
“Nuk ka të bëjë me çështjen e shkarkimit. Mirëpo ideja është ndryshe. Kandidati që është në garë drejton procesin e zgjedhjeve. Kjo kurrsesi nuk kupton shkarkim, sidomos jo në kohë të zgjedhjeve pasi do të krijonte probleme të panevojshme. Nuk kam qenë pjesë e bisedave private mes tyre andaj nuk mund të them më shumë se sa ajo që është thënë nga ta publikisht”, tha ai.