Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se çështja e “Zajednicës” ka qenë refren i Lëvizjes Vetëvendosje. Për këtë, para fillimit të dialogut me ndërmjetësim të Brukselit, ai ka pyetur sot kryeministrin Albin Kurti se a do të kalojë “Zajednica”.
Mes tjerash, ai gjatë diskutimit për çështjen e dialogut, ka pasur kritika për qeverinë aktuale, ndërkohë që ka pyetur nëse i kanë ndryshuar qëndrimet edhe për çështje të tjera.
Lekaj: A kalon “Zajednica”?
“Kryeministri nuk qenka këtu, por ishte bërë refren i LVV-së që ‘Zajednica’ nuk kalon. Për fund po ju pyes, a kalon ‘Zajednica’ apo nuk kalon?”, ka pyetur ai.
Meqë kryeministri Albin Kurti nuk ishte në sallë, është përgjigjur shkurt kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Konjufca: Me gjasë jo
“Me gjasë jo”, është përgjigjur ai shkurt.
Lekaj ka kërkuar qëndrime edhe nga ushtruesja e detyrës së shefes së GP-së të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Ai këtë të fundit e ka pyetur për përfshirjen e grave në dialog.
Kusari-Lila: I ke marrë pyetjet e KDI-së
“Kisha dashur të përgëzoj deputetin parafolës që komplet pyetjet e KDI-së i kish marrë edhe i lexoj këtu. Janë pyetje të cilat janë dërguar te 120 deputetët, si ndihmë për seancën e sotme”, ka theksuar ajo.
Më tej, Kusari-Lila ka pasur kritika për atë se çfarë po diskutohet në Kuvend për dialogun. Ajo ka shtuar se nuk ka ekip negociator që para se të shkojë në dialog e prezanton strategjinë. Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon diskutimi mbi ecurinë e deritanishme të procesit të dialogut me Serbinë.