Adil Behramaj, ish-këshilltar i Hashim Thaçit, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, i cili në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se arrestimi i Marko Gjuriqit, ndalimi i trenit dhe shëtitja e Thaçit nëpër Ujman ishin veprime të koordinuara me Serbinë.
Behramaj ka thënë se kjo deklaratë e Kurtit tregon se ai është dezertor në shpirt, përcjell Bota sot.
Teksa e ka quajtur frikacak, Behramaj ka thënë se Kurti ishte i paaftë të parandalonte edhe liturgjinë që u mbajt dje në Prishtinë.
Reagimi i Behramajt në Facebook:
Paranoja e Albin Kurtit se arrestimi i Gjuriqit, ndalimi i trenit dhe shëtitja e presidentit Thaçi nëpër Ujman janë veprime të koordinuara me Serbinë, është tregues se Kurti është një autonomist në bindje, por një dezertor në shpirt. Dikur në vitet 90-ta, njerëzit me të njëjtën logjikë e quanin tradhtar Adem Jasharin, sepse nga frika u dukej çmenduri trimëria dhe heroizmi i tij. Nënshtrimi i njerëzve ndaj Serbisë ishte më i madh se gatishmëria e Adem Jasharit për sakrificë sublime!
Paranoja të tilla krijohen vetëm në mendjen e një frikacaku, i cili është i paaftë ta parandalojë edhe një liturgji ilegale në zemër të Prishtinës!