(E plotësuar 18:35) - Kryetari i Kuvendit, njëherësh anëtar i kryesisë së VV-së, Glauk Konjufca, tha se e ka të vështirë t’i drejtohet Albin Kurtit si kryeministër.
“Pak gjëra në jetë më duken të vështira por më së vështiri e kam me i tha kryeministër, se me i thënë kështu po më duket më pak se me i thënë Albin. Po e festojmë vitin e 16 të VV-së që koincidon me 22 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Jemi thellua në veprimtari dhe aksion e sipër kundër administratës së UNMIK-ut. Ka kalu një kohë e madhe që nuk kam qenë këtu dhe kam nostalgji”.
Këtë e tha në konferencën e Lëvizjes Vetëvendosje, në 16-vjetorin e themelimit, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Albin Kurti.
“Po më kujtohet që gazetarët shpesh ne derisa dilnim na linin dhe iknin kur vini për të na arrestuar. Ende e mashtroj vetën se jam i ri mirëpo po e vërtetojë që jam njëfarë veterani e po e vërej që vetëm një prej juve gazetarëve po e njoh”.
“Është me rëndësi sepse konsideroj që LVV është një trashëgimi interesante politike e popullit të Kosovës. Njerëzit që janë bashku në LVV janë qytetarë që kanë qenë me halle e kanë pasë shumë probleme. Ne kemi qenë të vetëdijshëm që i përkasim një përpjeke shumë të gjatë të popullit të Kosovës për të qenë rehat në tokën e vet.
***
Në shënimin e 16 vjetori të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri Albin Kurti vlerësoi kontributi dhe sakrificën e të gjithë aktivistëve të VV-se.
“Kjo kafiteri që ndodhemi është lokali ku u patë formësuar identiteti i LVV-së në vitet 2005/6/7/8, përfundi kësaj arre ku i diskutonim mendimet politike. Në këtë oborr ku e kemi zhvilluar Lëvizjen si organizatë”.
“Falënderojmë qytetarët e Prishtinës e pastaj të gjithë Kosovës që na kanë përkrah pa rezervë”.
“Parimet e VV-së të cilët e gjejnë origjinën tek Rilindja Kombëtare janë ato që e kanë së ndërtuar aktivistët politik dhe kanë bërë që ne të zgjerohemi e rritemi për ditë”.
“Kemi pasur momente të lumtura por edhe të vështira, patëm që sakrifikuan shumë, kontributi i të cilëve tek ne ndjehet çdo ditë”.
“Kemi shumë punë para por të gjitha betejat janë kaluar që të kemi shansin për beteja më të mëdha”.