Ish-kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë Agim Veliu, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të kryetarit Lumir Abdxhiku, për shkarkimin e tij.
Ai e ka quajtur vendimin të pavlerë e skandaloz, duke akuzuar Abdixhikun për “maskaradë”.
“Për vendimin arbitrar dhe të paligjshëm të Kryesisë dhe të Kryetarit Abdixhiku, fillimisht isha informuar përmes mediave. Ndërsa, sot (e diel) më është përcjell vendimi skandaloz i nënshkruar nga kryetari i partisë, i cili nuk shquhet vetëm për shkelje të Statutit të partisë, por edhe për gabime drejtshkrimore, mbase nga ngutia për ta “përligjur” sa më shpejt shkarkimin Kryetarit të Degës në Podujevë. Tërë kjo maskaradë e Kryetarit Abdixhiku dhe përkrahësve të tij në Kryesi nuk është asgjë tjetër veçse një lojë e ndyrë dhe përpjekje për ta kamufluar vendimin në emër të kinse riorganizimit të brendshëm (lexo: spastrimit të brendshëm), të prezantuar në “Platformën e Kryetarit të LDK-së 2021-2023””, ka thënë mbrëmë deputeti i LDK-së.
Lidhur me përplasjen në LDK, ka reaguar gazetarja Jeta Xharra, përcjell Bota sot. Ajo ka thënë se po i pëlqen civilizimi që ka nisur të ndodhë në LDK pas debaklit në zgjedhjet.
Sipas saj, reagimi i Veliut është “idhnim i artikuluar më shumë me marifet”.
“Po më pëlqen qysh kemi fillu me u civilizu në Kosovë që, (pas disa debakleve), kur s'na pëlqen najsen i shoqi-shoqit, tash po thojmë "...madje edhe gabime drejtshkrimore kish bo" - shumë ma gjentellmene se me i thanë njerit "i trashë", "i Beogradit" etj etj. Ky është idhnim i artikulum më shumë me marifet, edhe Kosova ka nevojë për ksi avancimi!”, ka shkruar Xharra në një postim në Facebook./BS