Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, përmes një postimi në facebook ka dhënë një lajm të mirë për gjithë qytetarët e Kosovës.
Vitia ka njoftuar se shumë shpejt do të nisë vaksinimi masiv në Kosovë, pasi sipas tij, edhe vaksinat anti Covid janë siguruar.
“I kemi siguruar vaksinat, i kemi bërë përgatitjet. Së shpejti mbërrin dhe kontigjenti i parë i vaksinave Pfizer nga sasia që ka kontraktuar Republika e Kosovës”, ka shkruar Vitia, përcjellë “Bota sot”.
Postimi i plotë:
Të dashura qytetare,
Të dashur qytetarë,
Jemi në momentet përfundimtare të parapërgatitjeve për nisjen e vaksinimit masiv në të gjithë vendin tonë.
Pas shumë sakrificave, humbjeve e vështirësive të këtij viti që lamë pas, kemi mbërritur tanimë në një stacion të ri nga ku mund të nisim rrugëtimin tonë drejt imunizimit.
I kemi siguruar vaksinat, i kemi bërë përgatitjet. Së shpejti mbërrin dhe kontigjenti i parë i vaksinave Pfizer nga sasia që ka kontraktuar Republika e Kosovës.
Kështu shpresoj dhe besoj që do ta kemi një vjeshtë e dimër më të sigurtë dhe që më të dashurit tanë do të jenë më të mbrojtur.
Ju lutem si çdo herë: ndiqni dhe informohuni në njoftimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë për mënyrën, kohën dhe kriteret e vaksinimit.
Ju falenderoj të gjithëve për besimin dhe solidaritetin e treguar prej shkurtit të vitit 2020.
Falenderime nga zemra të gjithëve që ndihmuan në sigurimin e vaksinave!
Ecim tutje, për më mirë dhe më sigurtë!