Samir Behariq, hulumtues në Forumin Ballkanik, ka thënë se përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë një përgjigje arrogante kur është pyetur nëse shtetet e Ballkanit duhet t’i besojnë BE-së, pas dështimit të saj që t’ia sigurojë Kosovës liberalizimin e vizave.
“Nëse nuk i besoni BE-së, shkoni diku tjetër”, ka thënë ai si përgjigje, ka bërë të ditur Behariq, nga Forumi që po mbahet në Bratislavë, kur është pyetur nëse Maqedonia e Veriut duhet t’i besojë BE-së për negociatat për pranim, duke e marrë parasysh dështimin e saj për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Tash është bërë trend të kritikohet BE-ja për liberalizimin e vizave, por liderët e Kosovës duhet të shkojnë në shtetet që po bllokojnë lëvizjen që të pajtohen”, ka vazhduar Lajçaku që më tutje ka thënë se gjithsesi, të gjitha kriteret janë përmbushur nga Kosova.
I asked @MiroslavLajcak why should the #WesternBalkan leaders trust the EU promises, taking into account the EU failed to deliver visa liberalisation to #Kosovo and accession talks with #NorthMacedonia.
— Samir Beharić (@SamBeharic) June 16, 2021
His reply was abhorrent: "If you don't trust the EU, go somewhere else." 1/ pic.twitter.com/DKIPpnmwEP
Kosova ka disa vjet që është në pritje të liberalizimit të vizave. Është raportuar se disa vende në BE janë skeptike për lëvizjen e lirë të kosovarëve në Evropë.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka kritikuar BE-në duke thënë se vendet e Ballkanit gjithmonë përballen me thirrjen “nëse e përmbushni këtë, ne do t’i përmbahemi zotimeve”, por se në realitet “BE-ja s’po i përmbahet zotimeve”. Ka përmendur këtu çështjen e ndryshimit të emrit të shtetit, por ka theksuar se BE-ja s’ka kryer zotimet që i kishte dhënë.