Mbi 110 mijë qytetarë janë imunizuar deri më sot në Kosovë, që nga fillimi i procesit në fund të muajit mars.
Lajmi është bërë i ditur nga koordinatori i qendrës së vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi i cili tha se vetëm sot në këtë qendër janë vaksinuar mbi 400 persona.
“Nëse flasim në nivelin vendi nga fillimi e deri më tani kemi kaluar shifrën e 110 mijëshit, por nëse i referohemi vaksinimit vetëm ditën e sotme kemi mbi 400 të vaksinuar. Në nivel vendi kemi mbi 4 mijë të vaksinuar gjatë ditës së sotme procesi është duke vazhduar në të gjitha qendrat e vaksinimit shumë mirë nuk ka ndonjë parregullsi dhe situate është shumë në nivel sa i përket procesit të zbatimit të vaksinës”, tha Bardhi.
Ndërkohë, Bardhi konfirmoi se ka nisur edhe vaksinimi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ata të Policisë së Kosovës.
“ Kemi të sëmurët kronik pa dallim moshe Forcat e Sigurisë duke përfshirë Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe Policinë e Kosovës me prioritet në radhë të parë me listat që kanë ardhur nga këto dy institucione që janë ata me sëmundje kronike por edhe listat që i kanë të hartuara mbi bazën e prioriteteve për tu vaksinuar qoftë nga FSK-ja apo Policia e Kosovës”, tha ai.
Ndryshe, në Kosovë dje ka nisur vaksinimi masiv.
Në fund të këtij muaji pritet të arrijë një kontigjent me dozat që janë blerë nga kompania “Pfizer”.