Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku i kanë reaguar emisarit për dialogun Kosovë-Serbi të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, i cili të mërkurën kur u pyet në një tryezë diskutimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës mes tjerash tha “Nëse nuk i besoni BE-së, shkoni diku tjetër”.
Arrogant e ka quajtur Çitaku, të dërguarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Arrogant. Ekstremisht arrogant. Zgjerimi nuk është projekt altruist. Për më tepër, nëse Bashkimi Evropian dështon në fqinjësi, atëherë si presin burokratët e BE-së, të merren seriozisht me vende më të largëta dhe shumë më komplekse”, shkruan Çitaku.
Arrogant. Extremely arrogant.
— Vlora Çitaku (@vloracitaku) June 16, 2021
Enlargement is not an altruistic project. Furthermore, if EU continues to fail on its immediate neighborhood how on earth EU bureaucrats expect to be taken seriously in regions far more distant and far more complex. https://t.co/DqsTcBAA3A
Ndryshe gjatë të mërkurës, Samir Behariq, hulumtues në Forumin Ballkanik, ka thënë se emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, është përgjigjur në mënyrë arrogante kur ia ka parashtruar pyetje për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“E pyeta Lajçakun se pse liderët e Ballkanit Perëndimor duhet t’iu besojnë premtimeve të BE-së, përderisa BE-ja ka dështuar që të liberalizojë vizat për Kosovën dhe të nisë bisedimet për pranimin e Maqedonisë së Veriut. Përgjigjja e tij ishte e neveritshme: “Nëse nuk i besoni BE-së, shkoni diku tjetër”, ka shkruar Behariq në Twitter.
Lajçak kishte shtuar se “është bërë trend që të kritikohet BE-ja për liberalizimin e vizave, por se liderët e Kosovës duhet të shkojnë të kërkojnë pajtim në shtetet që po e bllokojnë lirinë e lëvizjes”.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka kritikuar BE-në duke thënë se vendet e Ballkanit gjithmonë përballen me thirrjen “nëse e përmbushni këtë, ne do t’i përmbahemi zotimeve”, por se në realitet “BE-ja s’po i përmbahet zotimeve”. Ka përmendur këtu çështjen e ndryshimit të emrit të shtetit, por ka theksuar se BE-ja s’ka kryer zotimet që i kishte dhënë.