Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka përsëritur pyetjen e saj për Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj lidhur me çështjen e shumëpërfolur të pjesëmarrjes së bashkëshortit të presidentes në stërvitjen ushtarake të FSK-së “Defender Europe 2021”.
“Ministri nuk është këtu as sot, ashtu siç nuk ka qenë as javën e kaluar kur e kam parashtruar pyetjen.
Do ta rishkruaj përsëri dhe do t’ia dërgoj derisa ai të vijë një ditë dhe të përgjigjet. Çështja është për pamjet e bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu, në uniformë të FSK-së gjatë ushtrimit “Defender Europe 21”. Çfarë grade ushtarake mban bashkëshorti i presidentes? Si rezervist është i obliguar të marrë pjesë në trajnime – kur është ftuar dhe në sa trajnime ka marrë pjesë dhe ku i ka mbajtur ato?”.
“A ka pasë ftesë për pjesëmarrje dhe nëse po nga kush? Nëse nuk ka pasë ftesë për pjesëmarrje, atëherë në çfarë cilësie ka marrë pjesë? Nëse ka qenë si burri i presidentes, pse e ka veshur uniformën e FSK-së? Nëse ka marrë pjesë si ushtarak rezervë, pse është pozicionuar afër Gjeneralit të FSK-së kur këtë nuk ia lejon grada? A është kjo shkelje e protrokollit ushtarak, ligjeve dhe rregullave të aprovuara, si dhe shkelje e Kushtetutës nga presidentja dhe keqpërdorimi i pozitave zyrtare për interesa personale dhe përplotësim të egos personale?”.