Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pas Samitit të Vjenës për Ballkanin Perëndimor, e ka pritur në takim Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz.
Kurti ka falënderuar Kurz për përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme të Austrisë dhënë Kosovës.
Ai ka zbuluar se ndër tjerash kanë biseduar edhe për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy republikave.
Ja shkrimi i tij:
Pas Samitit të Vjenës për Ballkanin Perëndimor, më priti në takim Kancelari i Austrisë, z. Sebastian Kurz, në zyrën e tij.
Fillimisht e falënderova Kancelarin Kurz për përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme të Austrisë për vendin tonë, qysh prej pranimit të studentëve dhe diplomave në vitet e ‘90-ta deri te mbështetja në menaxhimin e pandemisë Covid-19.
Biseduam për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy republikave tona, raportet në rajon dhe integrimet evropiane.
Në veçanti shqyrtuam mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, nevojën e Kosovës për investitorë nga Austria, si dhe rolin që mund të luajë mërgata jonë në shtimin e urave midis dy shteteve dhe popujve tanë. Në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi një samit të përbashkët biznesi Kosovë-Austri.