Kryetari i Republikanëve të Kosovës Faton Kurti, ka thënë se Kosovës nuk i duhet me çdo kusht njohja nga Serbia, pasi sipas tij, Republika e Kosovës është një realitet i pamohueshëm që e kanë njohur shtetet më të fuqishme të botës.
Ai i ka dhënë mbështjetje kryeministrit Albin Kurti, për linjën e tij në marrëveshjen me Serbinë.
Kurti u ka bërë thirrje partive opozitare që të heqin dorë nga mbështetja e politikave që i hyjnë në punë vetëm Serbisë dhe jo Kosovës, përcjell Bota sot.
“Nëse vazhdoni me opozitarizmin destruktiv në dëm të Kosovës, atëherë elektorati në zgjedhjet e ardhshme do t'ju dërgojë në pension të përhershëm nga jeta politike”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë i Kurtit në Facebook:
E ardhmja në Ballkan ju takon shqiptarëve.
Kur është themeluar shteti i Izraelit në 1948 atëkohë është njohur vetëm nga 40 shtete dhe ja sot është superfuqia e Lindjes së Mesme.
Neve nuk na duhet që me çdo kusht të na njohë Serbia, sepse Republika e Kosovës tanimë është një realitet i pamohueshëm që e kanë njohur shtetet më të fuqishme të botës.
Interesi i Serbisë është që ne të merremi vetëm me ata dhe në të gjitha spektret të tjera të dështojmë.
Qeveria e Kosovës tani duhet të merret me zhvillimin e ekonomisë, punësimin e popullatës dhe probleme të tjera që kemi.
Ne si shtet mund të përparojmë dhe të lulëzojmë edhe pa njohjen e sovranitetit tonë nga një diktator shovinist siç është Vuçiq.
Për këtë arsye, unë jam plotësisht dakord me linjën e Kryeministrit Kurti në marrëveshjen me Serbinë.
Opozitës i bëj thirrje të heqin dorë nga mbështetja e politikave që i hyjnë në punë vetëm Serbisë dhe jo Kosovës.
Gjatë dy dekadave të fundit ju i keni bërë mjaft dëme vendit. Nëse vazhdoni me opozitarizmin destruktiv në dëm të Kosovës, atëherë elektorati në zgjedhjet e ardhshme do t'ju dërgojë në pension të përhershëm nga jeta politike.