Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është takuar me kryetarin e Budestagut gjerman, Wolfgang Schuable, por në këtë takim ka munguar flamuri i Kosovës.
Në fotografitë e shpërndara në Facebook nga kryeparlamentari Konjufca, në takimin me Schuable shihet vetëm flamuri gjerman në anën e kryetarit të Bundestagut dhe ai i Bashkimit Evropian në anën e kryeparlamentarit Konjufca.
Flamuri i Kosovës nuk ka qenë prezent as në tavolinën e rrumbullakët në të cilën kanë zhvilluar takim së bashku ekipi i Konjufces dhe ai i Schuable.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/June/21/auto_202349407_1721639641356553_2757561613439212222_n-600x3381624278044.jpg)
Ndërkohë, kryeparlamentari Konjufca ka bërë të ditur se atje ka qenë me shefin e Stafit të tij, Ilir Kërceli, ambasadorin Beqë Cufaj dhe diplomaten Valëza Oruqi.
Konjufca thotë se me kryetarin e Budestagut ka diskutuar për zhvillimet historike e politike në rajon dhe sfidat për stabilizim, e gjithashtu për pandeminë, ekonominë dhe dialogun me Serbinë.
Konjufca thotë t’i ketë folur Schauble edhe për liberalizimin e vizave, duke potencuar në fund se Bundestagu dhe institucionet gjermane qëndrojnë fuqishëm pranë Kosovës.
“Sot bashkë me Shefin e Stafit Ilir Kërçeli, ambasadorin Beqë Cufaj dhe diplomaten Valëza Oruqi pata nderin ta takoj Dr. Wolfgang Schauble kryetarin e Bundestagut. Në takimin e përzemërt me Dr Schauble ju falenderova për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën. Diskutuam gjatë rreth zhvillimeve historike e politike për Kosovë dhe rajon, si dhe për sfidat që paraqiten në rrugëtimin e stabilizimit të rajonit, luftimin e pandemisë, rimëkëmbjen ekonomike dhe dialogun me Serbinë, si dhe finalizimin e procesit te liberalizimit të vizave. Bundestagu dhe institucionet gjermane qëndrojnë fuqishëm pranë dhe me popullin e Kosovës.”, shkruan Konjufca.