Drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK Demush Shasha, ka thënë se një PDK si kjo që po shihet aktualisht nuk i duhet vendit.
Ai ka thënë se ndryshimi në PDK nuk bëhet me rotacione emrash, por me përmbysje të modelit të kaluar politik dhe distancim nga e kaluara e saj, përcjell Bota sot.
Sipas tij, PDK-ja mund të kthehet në skenën politike, vetëm nëse vendos standardet më të larta të mirë-qeverisjes. Ai ka thënë se PDK-ja duhet të votojë pro shkarkimit të Bordit të RTK-së, heqjes së homologimit dhe Vettingut.
Reagimi i Shashës në Facebook:
Kosovës i duhet një PDK e cila voton pro:
- Shkarkimit të Bordit RTK-së;
- Heqjes së homologimit;
- Vettingut; dhe
- Zgjedhjes meritokratike të Komisioneres për Informim, që u votua me pikat maksimale nga Ambasada Angleze.
Një PDK si kjo që po shohim nuk i duhet askujt.
Në këtë kontekst, ndryshimi i PDK-së nuk do bëhet me cic-mica dhe rotacione emrash, por me një përmbysje të modelit të kaluar politik duke e zëvendësuar atë me mendësinë e re e cila do të distancohet nga e kaluara e PDK-së.
Në këtë kuptim, nuk do kanë aq shumë peshë emrat, por aktet. PDK mund të kthehet në skenën politike të vendit vetëm nëse vendos standardet me të larta të mirë-qeverisjes: nga çështjet e ndjeshme të shtet-ndërtimit sikur votimi i marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, e deri tek vendimet ditore sikur shkarkimi i bordit RTK-së dhe mbyllja e terminaleve private doganore. Çdo gjë më pak se kjo do të dërgojë PDK-në, çdo ditë e më shumë, në margjinat e jetës politike.