Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se në fundmarsin e vitit 1999 emri i një qyteze të vogël italiane u bë shumë i rëndësishëm për kosovarët.
“Më 24 mars të vitit 1999 një qytezë e vogël italiane e me pak banorë në Kosovë u bë më e njohur se Roma e Milano. Kjo ishte Aviano prej ku filluan bombardimet e NATO-s kundër makinerisë ushtarake e policore të Serbisë. Këto bombardime të domosdoshme u bënë nga aleanca më e fuqishme ushtarake e botës demokratike për t’i dhënë fund gjenocidit të shtetit serb mbi popullin e Kosovës.
Italia u bë vendi i parë prej të cilit u ngrit forca ajrore për shpëtimin e popullit tonë. Lufta e drejtë e UÇK-së e gjeti mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe falë këtij ndërveprimi erdhi liria e popullit tonë”.
Konjufca, në seancën solemne për nder të kryediplomatit italian, tha se Italia ka pasë rol të rëndësishëm në të gjitha proceset kyçe nëpër të cilat ka kaluar Kosova.