Vlora Çitaku flet për deklaratat e Donika Gërvallës, kështu i kundërpërgjigjet

Aktuale

Vlora Çitaku flet për deklaratat e Donika Gërvallës, kështu i kundërpërgjigjet

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 22:12
Vlora Çitaku

Ish ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, ka deklaruar se Ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla, duhet të ndryshojë qasje kur bëhet fjalë për përfaqësimin e Kosovës jashtë shtetit.

“Nuk e njoh personalisht zonjën Gërvalla, s’e kam takuar asnjëherë në jetën time. E njoh vetëm aq sa kam mundur të përcjellë prezantimet publike. Ministrja e jashtme e Kosovës duhet të kuptojë që betejat tona të brendshme politike duhet t’i mbajmë brenda. Jashtë shtetit, ministrja e jashtme apo ambasadori, përfaqëson pozitën dhe opozitën, shtetin e Kosovës, vizionin që kanë qytetarët e Kosovës për të ardhmen e tyre”.

“Mund të dalësh edhe qesharak, sepse nuk i intereson askujt as në Washington, Bruksel e Londër relacioni mes ministres se jashtme dhe liderit të një partie politike në Kosovë ose një personi tjetër çfarëdolloj funksioni të ketë ai. Atyre u intereson qëndrimi në lidhje me çështjet e caktuara”.

“Kosovën si shtet të dështuar, të kriminalizuar, që nuk ka shënuar asnjë lloj progresi dhe si shtet që s’duhet të ekzistojë, e projektojnë oponentët tanë çdo ditë. Ministrja e jashtme duhet ta ketë të qartë që detyra e saj primare është që ta promovoje Kosovën. Jo të gënjejë sepse në këtë kohë është e pamundur, por të gjejë ato pika të ndritshme të cilat megjithatë ekzistojnë, pra t’i vë në pah e dritë sukseset e Kosovës duke mos mashtruar. Detyra e një kryediplomateje është që ta promovoje Kosovën”, deklaroi ajo në emisionin Rubikon.

Ndërkaq, në lidhje me atë se çfarë mendon Çitaku rreth kërkesës për dorëheqjen e Gërvallës, ajo tha se të gjithë gabojmë, por që do të ishte mirë që ajo të del dhe të thotë se ka gabuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat