Njëri ndër themeluesit e LPK-së, veprimtari dr. Sadri Ramabaja i cili është përballur me bandat politike në Kosovë, ku edhe e burgosën, ka reaguar ashpër ndaj PDK-së dhe SHIK-ut.
Ramabaja përmes një postimi në Facebook, thotë se PDK-ja e ka fundin e njëjtë sikurse bandat kriminale.
Ai thotë se, krerët e SHIK-ut brenda PDK-së, kishin kriterin që sa më i ashpër e brutal të jesh me oponentët politikë, aq më i dobishëm do të jesh për shtetit.
Postimi i plotë:
Në Kosovën e pasluftës (ndërkaq luftën e bëri UÇK-ja e vegjëlisë), ata që ju imponuan asaj si udhëheqje politike, gradualisht kanë imponuar mendimin se, sa më i ashpër e brutal të jesh me oponentët politikë, aq më i dobishëm do të jesh për Shtetin, rrjedhimisht aq më atdhetar do të jesh!
Ky ishte kriteri më absurd që imponuan krerët e SHIK-ut brenda PDK-së, ndërkaq për pasojë, që me uzurpimin e Partisë nga Drejtoria Politike e UÇK-së, u panë simptomat e degjenerimit të saj nga një parti politike e orientimit të majtë, jo në një parti të mirëfilltë të të djathtës së qendrës, siç u proklamua, por në një bandë që do të drejtohej nga olhokratët.
Përfundimi i saj, nuk mund të ketë fat tjetër, përveç atij të bandave kriminale.