Në prag të mbajtjes së zgjedhjeve lokale, Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që të mbajë zgjedhjet e brendshme ku do të zgjedh kryetarin e ri.
Deri më sot zyrtarisht vetëm deputeti, Memli Krasniqi, e ka shpallur kandidaturën për kryetar të këtij subjekti.
E, se nuk ka kandidatura tjera e konfirmon edhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Ferat Shala, i cili vlerëson se kjo garë është shumë e nevojshme.
Shala thotë se gara do të jetë demokratike, për çka u shpreh i bindur se me 3 korrik do të përfundoj gjithçka sipas parametrave të planifikuara nga PDK-ja.
“Përveç zotëri Krasniqit askush tjetër nuk kam informacion që ka shpalluar kandidatur, gara do të jetë e hapur demokratike, gara është e nevojshme sepse i duhet PDK-së një garë e tillë zgjedhore. Kështuqë besojmë që me 3 korrik, do të përfundoj gjithçka sipas parametrave edhe të planifikuar edhe të dëshiruar për PDK-në”, deklaron Shala.
Duke mos dashur të flas për ndonjë emër që Shala do të përkrahte në këtë garë, ai thotë se vendimi i tij do të bëhet i ditur pas shpalljes së kandidatëve të tjerë.
“Në këtë fazë nuk mund të jap mendim për kandidatë. Por, mendimi dhe vendimi im do të jetë pas shpalljës së kandidatëve të tjerë. Ne do t’i përfillim të gjitha rregullat demokratike në këtë proces”, thotë Shala.
Konventa për zgjedhjen e kryetarit të ri të PDK-së do të mbahet më 3 korrik.