Përplasje në Kuvend / Mbi 50 përqind e të kualifikuarave nuk përputhen me nevojat e tregut

Aktuale

Përplasje në Kuvend / Mbi 50 përqind e të kualifikuarave nuk përputhen me nevojat e tregut

Nga: BOTA SOT Më: 30 qershor 2021 Në ora: 06:18

(E plotësuar 14:37) - ​Deputetët kritikojnë Fondin për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike, kërkohet hetim

Kuvendi i Kosovës me 63 vota për, asnjë kundër ka miratuar rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për Raportin e Auditimit të performancës për raportin “Administrimi i programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike dhe vlerësimi i rezultateve”.

Deputetët patën kritika të shumta për menaxhimin e Fondit për Trajtimin jashtë institucioneve shëndetësore, derisa u kërkua që për të njëjtin të ketë edhe një hetim.

Deputetja e LVV-së, Mirlinda Sadiku, në emër të komisionit ka paraqitur rekomandimet, ku një nga rekomandimet ishte që të bëhet plotësim-ndryshimi i udhëzimit administrativ për trajtim jashtë institucioneve publike.

Sadiku: Të bëhet plotësim-ndryshimi i udhëzimit administrativ për trajtim jashtë institucioneve publike

“Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante vartëse të bëjnë plotësim ndryshimin e udhëzimit administrativ për trajtim jashtë institucioneve publike, me qëllim të përditësimit të kritereve, shërbimeve shëndetësore, çmimores, si dhe rregullimit të mënyrës së raportimit duke filluar nga komisionet në kuadër të SHSKUK-së, komisionit vlerësues dhe bordit ekzekutiv të Fondit. Nga ana e Fondit për Sigurime Shëndetësore të bëhet barazimi i plotë financiar çdo gjashtë muaj me të gjitha institucionet private shëndetësore brenda dhe jashtë vendit për të gjitha shërbimet shëndetësore. Bordi dhe drejtori i Shërbimit Klinik spitalor pas raportimit obligativ te Komisioni për kërkesat dhe aprovimet për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike në vend të bëjnë vlerësimin e arritjeve, ngecjeve dhe nevojave sa i përket infrastrukturës, pajisjeve dhe resurseve humane me qëllim të reduktimit të nevojave për trajtim jashtë vendit dhe institucioneve shëndetësore publike dhe raportin me rekomandime t’ia paraqes ministrit të Shëndetësisë së paku dy herë në vit”, tha ajo.

Sadiku, tha se rekomandim tjetër është edhe që Ministria e Shëndetësisë në rastin e përgatitjes së strategjisë sektoriale të shëndetësisë 2021-2025 për zhvillim të sektorit të shëndetësisë të merr parasysh nevojat e institucioneve shëndetësore, si dhe nevojat e pacientëve me qëllim të ngritjes së numrit dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore në vend dhe minimizimit të nevojës jashtë institucioneve publike në vend.

Rekomandimi i fundit i Komisionit, ajo tha se është që në bazë të rregullta kohore së paku dy herë në vit të bëhet përditësimi i listës së sëmundjeve për të cilat ofrohet mbështetje e nevojshme për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike në vend.

Deputeti i LVV-së, Eman Rramani, tha se trajtimi shëndetësor jashtë vendit është një nga çështjet që duhet ta brengos secilin, teksa tha se keqmenaxhohen e keqpërdoren miliona euro të taksapaguesve.

Rrahmani: Keqmenaxhohen, keqpërdoren miliona euro të taksapaguesve

“Trajtimi shëndetësor jashtë vendit është njëra nga çështjet që duhet të na brengos dhe të bëjë të ndjehemi keq secili nga ne. Mënyra se si shpenzohen, keqmenaxhohen, keqpërdoren miliona euro të taksapaguesve dhe se si trajtohen pacientët që shpesh herë vdesin duke pritur në lista, nga padrejtësitë që u bëhen për të përfituar një trajtim shëndetësor nga shteti. Në vitin 2018 janë bërë pagesa për trajtim shëndetësor jashtë vendi në vlerë prej 9 milionë e 192 mijë e 553 euro, ndërsa në vitin 2019 janë bërë 8 milionë e 699 mijë e 979 euro. Kurse borxhi që Fondi ka në fund të vitit 2019 është 11 milionë euro e 75 mijë e 724 euro. 60 përqind e këtyre pagesave për vitin 2018 janë bërë në spitale të Turqisë, ndërsa në vitin 2019 vlera është 5 milionë e 628 mijë e 520 euro. Në Kosovë për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike në vitin 2018 janë bërë pagesa në vlerë prej 1 milionë 272 mijë e 259 euro, ndërsa në vitin 2019 1 milionë e 232 mijë e 385 euro”, tha ai.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se gjatë kohës sa kishte qenë ministër kishte kërkuar një raport për tri vitet e fundit nga Bordi për trajtim jashtë spitalor, por që tha se i njëjti nuk është pjesë e këtij raporti që po diskutohet në Kuvend.

Për këtë ai tha se kërkon që të ketë një hetim se çka ka ndodhur me fondet për trajtim jashtë vendit dhe i janë trajtuar ato.

Zemaj: Shuma e grumbulluar e borxhit afrohet 20 milionë, ndërsa këtu nuk është theksuar

“Gjendja reale që është paraqitur nga bordi për trajtim jashtë spitalor aty theksohet dhe është raportuar që shuma e grumbulluar e borxhit afrohet 20 milionë, ndërsa këtu nuk është theksuar, nuk e di a ka fshehje, a është qëllimkeqe apo ka ndonjë arsye tjetër, nuk po dua as unë të jem shumë ndërhyrës në këtë pjesë, sepse kjo ka të bëjë deri në vitin 2019. Mendoj që duhet të ketë një hetim goxha bazik se çka ka ndodhur me këto fonde dhe si janë trajtuar këto fonde, tek atëherë mund të kemi një pasqyrë reale... Mendoj që aty duhet të kemi një hetim, ndoshta edhe hetim penal se pse janë grumbulluar ato borxhe, pse është rritur shuma, si janë lejuar dhe raporti që më të drejtë disa nga kolegët e theksuan me spitalet jo publike edhe në Kosovë edhe jashtë vendit dhe lidhja që ekziston nga referimi i pacientit deri në trajtimin apo mostrajtimin e tij”, tha ai.

I ashpër me kritika ka qenë deputeti i LVV-së Haxhi Avdyli, i cili ka kërkuar që programi i trajtimit jashtë vendit të hiqet nga Fondi për Sigurim Shëndetësore dhe të kthehet në Ministrinë e Shëndetësisë.

Avdyli: Në këtë mënyrë të punës nuk do të kemi sigurime shëndetësore shpejtë

“Ky Fond për trajtim jashtë vendit është administruar në mënyrën më të keqe, nuk është Fondi për sigurime shëndetësore trajtim jashtë vendit, por edhe këtë e kanë bërë si është më së keqi. Jo vetëm që nuk na kanë futur në borxh, por po i jepet kahje kontributeve më shumë në drejtime tjera edhe me këtë mu po ma rrit atë skepticizmin se Fondi për Sigurime Shëndetësore nuk ka me pas sukses, sepse të njëjtit njerëz janë këta që kanë me e menaxhu këtë fond. Në këtë mënyrë të punës unë mund të them që nuk ka reformë në shëndetësi, me keqardhje mund të them nuk do të kemi sigurime shëndetësore shpejtë, me këta njerëz që ta kanë menaxhuar në mënyrën më të keqe të mundshme këtë fond për trajtim jashtë vendit nuk kemi me pas reformë në shëndetësi dhe prandaj unë ju ftoj të gjithëve që mos t’i gënjejmë qytetarët”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, tha se raporti është i mirë por që sipas tij do të duhej të jepte përgjigje edhe për shumë fusha të tjera.

Disa nga çështjet që janë parashtruar nda deputetët, Dreshaj tha se uron se do të modifikohen në udhëzimin administrativ është rekomanduar nga Komisioni.

Dreshaj: Për shumë shërbime profesionale të trajtimit më lirë është trajtimi jashtë vendit

“Për shumë shërbime profesionale të trajtimit më lirë është trajtimi jashtë vendit me marrëveshje të veçantë sesa trajtimi në vend, pra janë sëmundje të rralla, të gjitha vendet e botës këtë e bëjnë. Do të ishte mirë që edhe ministria jonë të mendoj në drejtim të detektimit të partnerëve strategjik ku këto sëmundje do të trajtohen, do t’i del më lirë dhe do të ikin shumë procedura administrative të panevojshme”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës më herët ka miratuar edhe rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”.

***

Deputetët e Kuvendit me 74 vota për kanë miratuarrekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”.

Në njërin prej rekomandimeve kërkohet nga qeveria shtim të buxhetit për aftësim profesional.

Në anën tjetër sipas disa studimeve që u prezantuan nga disa deputet gjatë diskutimit në vazhdimin e seancës së sotme, Kosova ka mbi 50 përqind të kualifikuar që nuk përputhen me nevojat e tregut.

Deputeti Eman Rrahmani në emër të Komisionit, ka arsyetuar rekomandimet, e që kërkohet nga Ministria e Arsimit në planin e ri-strategjik të arsimit në Kosovë të përgatit ri-organizimin e rrjetit të shkollave në nivel vendi duke marrë parasysh numrin e vogël të nxënësve dhe zvogëlimin e normave për mësimdhënësit me theks të veçantë në shkollat për aftësim profesional.

Rrahmani: Qeveria të rris buxhetin e dedikuar për arsim dhe aftësim profesional

“Qeveria të rris buxhetin e dedikuar për arsim dhe aftësim profesional, të krijohet bazë ligjore për diversifikimin e mënyrës së financimit të shkollave profesionale për të krijuar mundësi për investime edhe nga sektori privat”, theksoi Rrahmani.

Ndërsa, deputeti Ardian Gola nga VV tha se sipas disa studimeve në Kosovë mos përputhja ndërmjet kualifikimeve profesionale edhe nevojave të tregut shkon diku rreth 53 përqind.

Gola: Rreth 9 mijë të kualifikuar dhe të diplomuar në drejtësi, ekonomi dhe administratë mbeten t jashtë tregut të punës

“Shumë vende të punës që para 10 vjetëve që janë qenë të kërkuara, sot as që ekzistojnë. Pra, kemi të bëjmë me një destabilzim radikal të strukturës së punësimit, e cila është mjaft vështirë të mirëmbahet në saje të këtij ritmi jashtëzakonisht të madh të zhvillimit teknologjik… Sipas disa studimeve në Kosovë, mos përputhja ndërmjet kualifikimeve profesionale edhe nevojave të tregut shkon diku rreth 53 përqind. Drejtimi i biznesit, administratës dhe juridikut ka mos përputhjen më të madhe. Rreth 9 mijë të kualifikuar dhe të diplomuar në këto drejtime janë komplet jashtë tregut të punës, ndërkohë që nevojat e tregut që lidhen me shkencat natyrore dhe aplikative vuan me deficit rreth 3 mijë e 176 kuadro të këtyre profileve.

Deputetja Eliza Hoxha nga PDK-ja theksoi se është inkurajues, por njëkohësisht edhe shpresëdhënës fakti që në rrethanat e krijuara pas tranzicionit nëpër të cilat ka kaluar shteti i Kosovës më në fund duket një dritë dhe një vëmendje që i kushtohet çdo ditë e më shumë nevojave të arsimit, por gjithsesi gjendja mbetet ende për të dëshiruar.

Hoxha: Dinamikat e ndryshimit të shpejt, imponon rishikimin e politikave publike në arsimit

“Investimi i duhur në këtë sektor ka një rëndësi jetike për atë se ku jemi dhe ku dëshirojmë të arrijmë në të ardhmen dhe çfarë shoqërie duam ne si Kosovë. Meqenëse arsimi ka rëndësi thelbësore në përcaktimin e cilësisë dhe nivelit të zhvillimit të gjithmbarshëm socio-ekonomik të një vendi. Identifikimi dhe trajtimi i faktorëve të cilët kanë ndikuar që sistemi ynë arsimor të gjendet në stadin aktual të zhvillimit të tij nuk mund të shihet i ndarë nga dinamikat e ndryshimit të shpejt dhe në mënyrë të vazhdueshme të tregut të punës, i cili imponon rishikimin e politikave publike në fushën e arsimit të lartë në përgjithësi si dhe arsimit dhe aftësimit profesional në veçanti”, theksoi Hoxha.

Deputetja nga AAK Albena Reshitaj theksoi se kërkohet përkushtim më i madh në përmirësimin e sistemit arsimor, duke iu përshtatur nevojave të tregut të punës.

Reshitaj: Shkollat kanë mision të përgatisin gjenerata e breza të rinj

“Duhet punë dhe përkushtim i lartë në përmirësimin e sistemit arsimor në vend të cilin pandemia e ka rënduar edhe më tej. Nga shkollat nuk kërkohet më ri-prodhim apo zotërim i informacionit, sot shkollat kanë mision të përgatisin gjenerata e breza të rinj me shprehi për të kërkuar informacionin, për të operuar me të, për të analizuar dhe në mënyrë kritike për të aftësuar nxënësit që të jenë në gjendje të zgjidhin problemet dhe t’i konkretizojnë ato me rezultate”, thotë ajo.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar deputetët për veprimet që janë ndërmarr në raport me 7 rekomandimet të cilat janë adresuar që të gjitha nga MASHT.

Nagavci: Kemi Adresuar të gjitha rekomandimet

“Në lidhje me rekomandimin e parë që ka qenë të finalizoi sa më shpejt që është e mundur rishikimin e kurrikulave të klasave të 11-ta dhe 12-ta, ju njoftoi se ky rekomandim është përmbushur në tërësi. Në lidhje me rekomandimin e dytë që ka pasur të bëjë me zbatimin e qasjes modulare dhe përgatitjen shkollave për të implementuar suksesshëm kurrikulat të cilat u folën, ju njoftoi se tashmë janë identifikuar dhe vlerësuar profilet... Po planifikojmë dhe punojmë edhe me bizneset dhe ndërmarrjet në mënyrë që të sigurohemi që arsimi dhe aftësimi profesional i plotëson kërkesat dhe nevojat e tregut të punës”, theksoi Nagavci.

Kuvendi sot po ashtu me 62 vota për, 3 vota kundër dhe 11 abstenimi ka shkarkuar pesë anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Bëhen bashkë pozitë e opozitë, thonë se mungojnë punëtorët e kualifikuar, të shkolluarit s’i përmbushin nevojat e tregut

Deputetët kanë bërë shqyrtimin e Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”.

Deputeti i VV-së, Eman Rrahmani tha se ka vështirësi në zhvillimin e mësimit praktik në shkolla profesionale.

“Një numër i madh i profileve nuk janë shikuar që nga viti 2013. Mungesa e një analize dhe relevance të drejtimeve profesionale. Vështirësitë e zhvillimit të mësimit praktik në shkolla dhe vazhdimësi në realizmin e praktikës profesionale në biznes”, është shprehur ai.

Kurse kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola tha se akoma në Kosovë ka një stigmatizim të shkollave profesionale e mungesë të hapësirave nga bizneset për punë praktike të nxënësve.

Sipas Golës në Kosovë ka mospërputhje të shkollimit me nevojat e tregut me rreth 53 për qind.

“Kemi të bëjmë me një destabilizim radikal të strukturës së punësimit. E para është shpejtësia e ritmit të ndryshimit dhe punët që kërkojnë gjithmonë e më shumë standarde më të larta. Në Kosovë kemi rreth 53 për qind mospërputhje të shkollimit me nevoja të tregut”.

“Kemi disavazhtazim të gjimnazeve dhe të shkollave profesionale. Stigmatizim të shkollave profesionale. Ka hapësirë pak për punë praktike dhe numër të kufizuar të kompanive që mund të rekrutojnë studentë për zhvillimin e aftësive të tyre”, është shprehur ai.

Eliza Hoxha nga PDK-ja ka thënë se është shpresëdhënëse që pas tranzicionit në Kosovë vëmendje e veçantë u kushtohet nevojave të arsimit.

Gjithashtu Hoxha ka kërkuar më shumë buxhet dhe stimulim për nxënësit e shkollave profesionale.

“Sot më shumë se kurrë është i domosdoshëm ndërtimi i sistemit arsimor gjithëpërfshirës. Të zgjerohet bashkëpunimi ndërinstitucional të orientohen nxënësit në drejtimet që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Më shumë buxhet e fokus për stimulimin e nxënësve për shkollim në shkolla profesionale” është shprehur ajo.

Ajo i ka dhënë kritikë Qeverisë që nuk e ka trajtuar arsimin mjaftueshëm në programin e saj.

“Dy faqe program të kësaj Qeverie dhe pa vizion të Qeverisë Kurti”, ka thënë ajo.

Ndërsa deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj tha se në Kosovë ka shkallë të lartë të papunësisë dhe në anën tjetër ka punëkërkues me diploma.

“Shkalla e lartë e papunësisë dhe numër i lartë i punëkërkuesve të diplomuar është treguesi më i mirë i gjendjes së arsimit në Kosovë dhe raportit së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”, ka thënë ajo.

***

Nagavci flet për shtatë rekomandimet

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në seancën e Kuvendit i është përgjigjur akzuave të opozitës duke iu treguar të arrituar që Minsitria ka bërë.

Ajo i përmendi shtatë rekomandimet që Minsitria e Arsmit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka arritur të i përfundoj me sukesë, shkruan “Bota sot.

Nagavci uron që sa më shpejt të ketë të arritura të tjera në mënyrë që studentët të kenë kushtet e nevojshme për arsim.

“Raporti i cili po diskutohet sot i referohet viti 2019 dhe është i dorëzuar në vitin 2020, si i tillë ka adresuar 7 rekomandime për ministrinë e arsimit, shkencës, teknologjisë  dhe inovacionit ndërsa të tjera janë rekomandime të drejtuara drejtorive tjera komunale arsimit dhe palëve tjerë të lidhura.

Më lejoni shkurtimisht të ju njoftoëj për veprimet deri që janë marrë deri më tani që kanë të bëjnë me ministrinë toën dh të cilat ën këtë vit i kemi aderuar pothuajse të gjitha.

Në lidhje me rekomandimi e parë është përmbushur, ndërsa në lidhje me rekomandimin e dytë ju njoftojë se tashmë janë identifikaur dhe janë vlerësuar profilet duke qenë se ky është një proces i vazhdueshëm të njejt zbatimi i kurrikulave të shikuar do të filloj në vitin e ri shkollor, ndërsa rekomandimi i tretë ju noftojmë se po planifikojmë dhe po punojmë në lidhje dhe bashkëpunim me bizneset dhe ndërmarrjet në mënyrë që arsimi të ketë të plotsuar nevojat e tregut dhe punës ndërsa në anën tjetër është e rëndësishëm që të gjitha profilet që punojnë në shkollat të plotësojën kushtet, rekomandimi i katërt është funksionalizuar dhe deri tani kanë trajtuar një numër të standarëve që iu është dërguar, në rekomandimine  pestë është themeluar grupi punues teknik për formulën e financimit të institucionëve të arsimit dhe aftësimit profesional, rekomandimi i gjashtë gjithashtu është realizuar me sukses ndërsa rekomandimi shtatë ka qenë objektiv Minsitrisë së Arsimit duke ndërmarr shumë veprime dhe aktivitet të ndryshme për këtë drejtim dhe në vitin 2023 të jetë më i lehtë për nxënësit”, u shpreh Nagavci, përcjell “Bota sot”.

***

Bekim Haxhiu vjen me një kërkesë për Ministrinë e Arsimit

Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu në Kuvendin e Kosovës ka folur në lidhje me gjendjen e arsimin e studentëve.

Ai thotë se disa studentë mund të humbin vitin e tyre për shkak të kushteve të këqija të arsimit pasiqë shumica nuk kanë mundur të ndjekin ligjeratat online.

Haxhiu shprehet se ky vendim për mos kaluar provimin për shkak të mosvijueshmërinë të anulohet.

“Ky raport na vë në situatë për të parë edhe të arriturat edhe lidhshmërin e arsimit e rëndësin e arsimit profesional për vendet e reja të punës për rininë tonë. Duke pasur prezente ministren e arsimit dua të bëjë një kërkesë, pasi ky është semestri i fundit i UP-së dhe të gjitha ligjeratat janë pothuajse janë bartë online ndërsa ka pasur mundësi për ushtrimet e ligjeratave në mënyrë fizike. Tani kur ka ardhur koha e provimeve pasi Ministra ka marrë vendim për ata studentë të cilët nuk kanë marrë pjesë në ligjerata online të mos ju mundësohet paraqitja e provimet dhe të përsërisin vitin. Kërkoj nga Minsitria e Arsimit që ky vendim të mos zbatohet pasiqë nuk i kanë pasur kushtet shumica e studentëve”, u shpreh Haxhiu, përcjell “Bota sot”.

***

 Kuvendi i Kosovës me 62 për, 3 kundër dhe 11 abstenime për shkarkoi pesë anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Të pranishëm në sallë ishin 89 deputetë.

Anëtarët e shkarkuar të KPMSHCK-së janë Eshref Shabani, Malsore Gashi-Bajraktari, Jeton Koca, Arben Mehemti, Ardita Haxhnikaj-Demi.

Kryetarja e Komisionit për Administratë, Daorsa Kica Xhelili në seancën e kaluar kishte thënë se rekomandimi për shkarkimin e këtyre anëtareve është bazuar për shkelje të dispozitave të ligjit për KPMSHCK-në.

***

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të votohet rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Pikë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për Raportin e Auditimit të performacës zbatimi i rekomandimeve të raportit “Administrimi i programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike dhe vlerësimi i rezultateve”.

Po ashtu, në këtë seancë pritet të votohet edhe propozim-rezoluta nga debati parlamentar në lidhje me situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.

***

Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon sot seancën e radhës me 10 pika të rendit të ditës.

Kështu, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në seancën e sotme Kuvendi do të shqyrtojë rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, për të vijuar më pas me shqyrtimin e rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”.

Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë edhe rekomandime të tjera ky komision: rekomandimet për Raportin e Auditimit të performacës zbatimi i rekomandimeve të raportit “Administrimi i programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike dhe vlerësimi i rezultateve”, rekomandimet lidhur me Raportin e Auditimit të performacës “Procesi i licencimit të shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale dhe mbrojtja e ambientit nga kjo veprimtari”, si dhe ato për Raportin e Auditimit të performacës “Organizimi dhe menaxhimi i Investimeve të Teknologjisë së Informacionit në Institucionet Publike”.

Pikë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19, i bartur nga seanca e fundit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat