Ajo që pritej të kandidonte për kryetare të PDK-së, e që nuk e bëri këtë hap, u pa sonte në tubimin ku Uran Ismaili e shpalli kandidaturën për kryetar të Prishtinës.
Ish-diplomatja Vlora Çitaku, në fjalimin e saj, tha se e njeh Ismailin prej kohësh, se ia di simpatitë e para dhe e di kur është njoftuar me dashurinë e jetës, Arizonën, por tash që ai ka vendosur t’i hyjë garës për kryetar të Prishtinës, i dha disa këshilla. I tha që të mos merret me çështje që nuk i takojnë, por të jetë i fokusuar në punët në Prishtinë.
“Për ta qeverisur Prishtinën duhet plan, duhet punë, duhet ekip, duhet përkushtim. Qyteti nuk mund të bëhet përderisa kryetari i Prishtinës merret ose me dialogun, ose me shërbime karshi liderëve partiakë, ose me shërbime karshi ndërtuesve”, ka deklaruar Çitaku.
Nga përvoja e saj si ambasadore në Washington, ajo tha se ka parë se si zhvillohen qytetet dhe sa rëndësi i jepet diversitetit kulturor dhe edukativ. Çitaku ka argumentuar se në Prishtinë nuk mungon potenciali, por siç ka thënë ajo, përgjatë kohë ka munguar lidershipi i qytetit, “ka munguar dikush që merret ekskluzivisht me qytetin”.