Gashi: LDK kërkon debat parlamentar për Marrëveshjen e Washingtonit

Aktuale

Gashi: LDK kërkon debat parlamentar për Marrëveshjen e Washingtonit

Më: 1 korrik 2021 Në ora: 11:42
Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka bërë të ditur se në seancën e së mërkurës pikë e rendit të ditës do të jetë edhe debati parlamentar lidhur me Marrëveshjen e Washingtonit.

“Në këtë mbledhje të Kryesisë së Kuvendit u diskutuar për seancën e radhës e cila pritet të mbahet në mesin e javës së ardhshme. Ndër pika të tjera do të jetë edhe një debat parlamentar i kërkuar nga LDK-ja lidhur me marrëveshjen e arritur më 4 shtator në Washington mes ish-kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të SHBA-ve Donald Trump. Ne kërkojmë që të shohim se cili është qëndrimi i Qeverisë lidhur me këtë marrëveshje, cilat janë veprimet që i ka marrë Qeveria e Kosovës në lidhje me këtë marrëveshje dhe cilat janë mosveprimet nga shkaku i mosveprimeve të Qeverisë së Kosovës”.

Gashi, pas mbledhje së Kryesisë së Kuvendit, ka deklaruar se e kanë kërkuar këtë debat për ta parë se cili është qëndrimi dhe cilat janë veprimet e Qeverisë së Kosovës karshi këtij zotimi të bërë në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne kemi kërkuar këtë debat në mënyrë që ta kemi të qartë se cili është orientimi i qeverisë dhe cilat janë vendimet e qeverisë në këto obligime që dalin për Kosovën nga kjo marrëveshje dhe cilat janë përfitimet e Kosovës nga kjo marrëveshje. Është marrëveshje që është në favor të Kosovës, është në interes të përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës dhe administrata aktuale  e SHBA-së vendos në mënyrë të prerë dhe të saktë se kjo marrëveshje është prioritet i saj dhe duhet të zbatohet. Ne e kemi të paqartë se cilat janë qëndrimet dhe veprimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me këtë marrëveshje”.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së ka thënë se presin që prezent të jetë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, derisa ka thënë se i pranishëm do të jetë edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe deputetët e tjerë që kanë qenë të përfshirë në këtë marrëveshje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat