(E plotësuar 17:47) - Të enjten sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka qëndruar në Kosovë ku u takua edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Nga zyra e kryeministrit kanë treguar se në takim mes Kurtit e Stoltenberg u diskutua për rolin e NATO-së në Kosovë dhe bashkëpunimin me institucionet për sigurinë në vend.
Citohet që Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për kontributin e çmuar të NATO-s në Kosovë dhe rëndësinë e KFOR-it për siguri dhe stabilitet në rajon. Ai ritheksoi përkushtimin e Kosovës për integrim në aleancën më të madhe të paqes e sigurisë në botë, NATO.
Poashtu në takim Kurti e njoftoi sekretarin e NATO-s për përmirësimin e situatës me pandeminë COVID-19, si rezultat i menaxhimit të mirë institucional dhe për reformat e nisura në drejtësi e punësim.
Sekretari Stoltenberg vlerësoi angazhimin institucional për të garantuar sigurinë në vend dhe shprehu përkushtimin e vazhdueshëm të misionit të NATO-s për mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë.
Duke biseduar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Kryeministri theksoi punën dhe angazhimin e vazhdueshëm për avancimin e FSK-së në një ushtri moderne, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai shprehu gatishmërinë e FSK-së për zgjerimin e partneritetit me NATO-n, për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në nivel ndërkombëtar.
Në takimin që u zhvillua në kuadër të vizitës një ditore në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i KFOR-it, Franco Frederici dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
***
Sekretari i NATO-s u taku edhe me Kryeministrin Kurti
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg është pritur në takim nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në takimin mes Stoltenberg dhe Kurtit mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje, ndërsa nuk pritet që të deklarohen para gazetarëve.

Sekretari i NATO-së para takimit me Shefin e Qeverisë së Kosovë u takua me presidenten, Vjosa Osmani.
Stoltenberg në vizitën e tij në Kosovë do të takohet edhe ministrin për Komunitete e Kthim, Goran Rakiq.

Presidentja Osmani takohet me Sekretarin e NATO-s
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të cilin e ka falënderuar për rolin vendimtar të Aleancës Veri-Atlantike në lirinë e Kosovës, por edhe për kontributin e tashëm për një ambient të qetë e të sigurt, nëpërmjet trupave të KFOR-it. Në këtë takim, Presidentja Osmani ka falënderuar z.Stoltenberg edhe për mbështetjen e KFOR-it për trajnimin e FSK-së, e cila procesin e tranzicionit në Ushtri po e kryen konform standardeve të NATO-s, duke qenë e denjë për t`u bërë pjesë e kësaj organizate. Zonja Osmani ka përmendur edhe mbështetjen e KFOR-it dhënë komunave në përballje me pandeminë Covid-19.
Më tej, Presidentja Osmani ka potencuar se e ardhmja e Kosovës është në BE, NATO dhe OKB.
“Ne po punojmë me përkushtim që të anëtarësohemi në NATO. Kemi nevojë për mbështetjen e kësaj organizate edhe me anëtarët e NATO-s, të cilët nuk e njohin Kosovën”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Ndërkaq në kontekstin e sigurisë rajonale, Presidentja ka përmendur edhe rrezikun nga ndikimi rus në Ballkan, ndaj e ka konsideruar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë tejet të rëndësishëm.
***
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur në takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Mediet u lejuan të marrin vetëm pamje në fillim të takimit, ndërsa nuk pritet të ketë deklarime pas takimit.
Më pas, sekretari i NATO-s pritet të takojë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sekretarin i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg po qëndron në një vizitë një ditore në Kosovë.
